Erdogan: Kjo verë do të jetë e nxehtë edhe për terroristët, edhe për përkrahësit e tyre

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se vera e sivjetme do të jetë e nxehtë edhe për organizatën terroriste, por edhe për ata që e përkrahin.

Presidenti dhe njëkohësisht kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), Recep Tayyip Erdogan mbajti një fjalim në mbledhjen e zgjeruar të kryetarëve të degëve të partisë së tij.

Në fjalën e tij të mbajtur gjatë mbledhjes Erdogan vuri theksin në vendosmërinë e luftës kundër terrorit.

Duke vënë në dukje se kjo luftë do të përshpejtohet, Presidenti Erdogan tha: “Këtë vit stina e verës do të jetë e nxehtë edhe për organizatën terroriste, por edhe për ata që e përkrahin. Fillimisht do të spastrohet zona e Menbixhit nga elementet terroriste, më pas do të vazhdojmë pa u ndalë deri sa zona lindore e lumit Eufrat të jetë plotësisht e sigurt”.

Gjatë fjalimit të tij kreu i shtetit turk preku edhe në operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar, për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

“Numri i terroristëve të neutralizuar deri më sot arriti në 1 mijë e 873, ndërsa janë marrë nën kontroll 415km katrorë. Pas rrethimit të qendrës së Afrinit dhe ndërprerjes së kontakteve të terroristëve me jashtë, operacionin do ta vazhdojmë me një strategji të re”, bëri të ditur Erdogan.

Presidenti shtoi se ushtarët turq me një sakrificë dhe trimëri të madhe janë duke avancuar drejtë Afrinit duke u vënë në kokë terroristëve hendeqet dhe fortifikimet e përgatitura me përkushtim për të ndërmarrë sulme ndaj Turqisë.

Duke e bërë të ditur se Forcat e Armatosura të Turqisë kanë spastruar nga terroristët një pjesë të maleve dhe kodrave strategjike të rajonit, Presidenti Erdogan tha se presin që operacioni tani të vazhdojë më shpejtë.

Në lidhje me deklaratën e zëdhënëses së Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), Dana White për kalimin e terroristëve përkrahës të regjimit në Afin për ti dalë në ndihmë PKK/PYD-YPG, Presidenti Erdogan tha: “Ajo që na shqetëson më së shumti është mashtrimi, madje mungesa e seriozitetit, e disa vendeve që i njohim si aleate, me të cilat kemi marrëdhënie të thella ushtarake dhe politike. Dje një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes të një vendi të tillë, pa u turpëruar del e deklaron se në Afrin janë vrarë civilët dhe se banorët nuk po kthehen dot në shtëpitë e tyre për shkak të dhunës. Jeni të paskrupullt, jeni të pamoralshëm, në Gutën Lindore për çdo ditë po masakrohen me qindra fëmijë, gra, të moshuar, civilë të pafajshëm dhe ju nuk ndjeni as shqetësimin më të vogël për këtë, ndërsa jeni të shqetësuar nga lufta, e cila po zhvillohet kundër terrorit dhe po përhapni lajme të rreme. Sikur të mos bënim dallim mes civilëve dhe terroristëve, operacioni i Afrinit do të përfundonte shumë në herët”.


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne