Erdogan: Lufta e Turqisë dhe Rusisë kundër organizatave terroriste në Idlib do të vijojë bashkërisht

Në fund të takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, presidentët Recep Tayyip Erdogan i Turqisë dhe Vladimir Putin i Rusisë mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në Pallatin e Kremlinit.

Kreu i shtetit turk bëri me dije se me homologun rus kanë gjetur shansin të shqyrtojnë veçanërisht situatën në Siri.

“Monitoruam implementimin e rezultateve qoftë të Marrëveshjes për Idlibin, qoftë të samitit katërpalësh për Sirinë. Rishikuam zhvillimet në terren, me në krye ato në Idlib. Bëmë vlerësime rreth vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga Siria. Bashkëpunimi i Turqisë dhe Rusisë është një pikë referimi në aspektin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Sirisë. Ne kemi mundësuar zhvillime pozitive të shumta falë dialogut tonë të afërt dhe bashkëpunimit tonë të ngushtë. Jemi të vendosur që të konsolidojmë bashkërendimin me miqtë tanë rusë. Me rëndësi kritike është të mos krijohet një zbrazëti që do të mund keqpërdorej nga organizatat terroriste gjatë procesit të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (nga Siria). Vlerësimet e mia në lidhje me këtë çështje i ndava edhe me mikun tim të çmuar (Putin). I komunikova se qëllimi i vetëm i Turqisë është mposhtja e organizatave terroriste, me në krye DAESH-in dhe PYD/YPG-në. Ne e dimë mjaft mirë gjithashtu se kush i mbështet dhe kush i provokon këto. Dua të theksoj po ashtu domosdoshmërinë e një lufte të përbashkët sidomos kundër organizatave terroriste, të cilat synojnë t’i vënë dinamitin bashkëpunimit turko-rus”, u shpreh Erdogani.

Kurse në përgjigje të pyetjes së një gazetari se cila është situata e fundit në lidhje me Idlibin dhe komitetin kushtetues në Siri, kreu i shtetit turk tha: “Miku im i çmuar dha një përgjigje mjaft të qartë si për Idlibin ashtu edhe për komitetin kushtetues. Në Idlib, lufta jonë kundër organizatave terroriste do të vazhdojë njëkohësisht në mënyrë të përbashkët. Luftërat kundër organizatave terroriste nuk janë përpjekje të çastit. Ne do ta vazhdojmë këtë luftë. Sepse qëllimi ynë atje është të sigurojmë paqen, qetësinë, lumturinë e popullit sirian dhe të mos u lëmë shteg atyre (terroristëve). Këtë solidarësi e konfirmuam (me Putinin). Sa i përket komisionit kushtetues; folëm mes nesh edhe për këtë çështje dhe porositëm ministrat tanë të Punëve të Jashtme që vazhdojnë dhe të ndjekin procesin diplomatik, në thelb, sipas vendimit që ne kemi marrë në Samitin e Stambollit.”

Erdogani tha mes të tjerash se gjatë bisedimeve në Moskë kanë shqyrtuar edhe çështjen e kthimit (në atdhe) të refugjatëve sirianë.

“Si një shtet që strehon rreth 4 milionë refugjatë, kjo çështje na intereson nga afër edhe neve. Mbi 300 mijë sirianë janë kthyer deri më sot në hapësirat që ne spastruam (në Siri) nga terroristët me anë të operacioneve ‘Mburoja e Eufratit’ dhe ‘Dega e Ullirit’. Në hapësirën prej 4.000 km2 që shtrihet nga Afrini deri në Xherabulus, vëllezërit tanë sirianë jetojnë tani normalisht në paqe dhe qetësi, larg frikës së terrorizmit. Ky model, i cili hap rrugën e kthimit, duhet të aplikohet edhe në lindje të Eufratit”, potencoi lideri turk.

Ai siguroi se këtë bashkëpunim (me palën ruse) do ta vazhdojnë me kontakte bilaterale dhe me bisedime të formatit të Astanës edhe gjatë periudhës në vijim.

“Muajin e ardhshëm, këtë herë me pjesëmarrjen edhe të z. Rouhani, ne do të realizojmë në Rusi një samit trepalësh të ri. Për më tepër, menjëherë pas samit në fjalë, ne do të zhvillojmë gjithashtu mbledhjen tonë të Këshillit Strategjik me Nivel të Lartë”, shtoi Erdogani.

I pyetur nëse ka ndonjë zhvillim konkret në bisedimet që po mbahen me SHBA-në për zonën e sigurisë, nëse është diskutuar kjo çështje me Putinin dhe nëse mund të bënte publike detaje teknike, presidenti turk vuri në pah se kjo është një çështje me ndjeshmëri të lartë për vendin e tij dhe se këtë ndjeshmëri do ta ruajnë deri në fund.

“Bisedimet për zonën e sigurisë vijojnë në nivel liderësh, por edhe ministrash. Natyrisht që për ne ka rëndësi shumë të madhe ndjeshmëria e zonave të cilat përbëjnë kërcënim ndaj nesh. Prandaj ne jemi të vendosur të marrim masa në këto zona që përbëjnë kërcënim. Në këtë aspekt, edhe Amerika ka shprehur qasjen e saj pozitive. Dhe siç e dini, ajo është një zonë me thellësi rreth 30-32 km. Sa i përket kësaj çështjeje, ne s’kemi ndonjë problem as me Rusinë. Sepse çështja e kësaj zone të sigurisë është ndjeshmëri për një zonë pa prani terroriste. Këtë ndjeshmëri do ta ruajmë deri në fund përmes kontakteve të vazhdueshme ndërmjet zyrtarëve përkatës, ministrave tanë të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, por edhe të shërbimeve tona të inteligjencës”, saktësoi ai.

Në fund, Presidenti Erdogan tha gjithashtu se ndërmjet Turqisë dhe Rusisë ka një bashkëpunim shumë të ngjeshur në fusha si ekonomia, tregtia, industria, energjetika dhe kultura, por edhe turizmin, një sektor që kohët e fundit është bërë lokomotivë e ndërveprimit të shumanshëm turko-rus./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne