Erdogan: Lufta jonë kundër terrorizmit do të vijojë kudo që të ketë prani terroriste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri me dije të shtunën se operacioni “Dega e Ullirit” po vazhdon me sukses, gjatë një fjalimi drejtuar qytetarëve të tubuar përpara degës së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në provincën Mersin.

Në fjalën e rastit, kreu i shtetit turk u ndal fillimisht mbi operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Ai ritheksoi se Turqia nuk ka synime territoriale dhe se qëllimi i operacionit në Afrin është spastrimi i terroristëve nga zonat veriore të Sirisë.

“Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane po avancojnë me hapa të sigurta drejt qendrës së Afrinit. Pasi ta kemi çliruar nga pushtimi i terroristëve, ne do t’ua dorëzojmë këto territore pronarëve të tyre të vërtetë. Aktualisht, rreth 850 km2 janë plotësisht nën kontrollin tonë. Objektivi është të marrim nën kontrollin tonë 2.000 km2”, siguroi presidenti turk.

Në fund, Erdogan dha mesazhin se operacioni do të vazhdojë edhe pas Afrinit në zonat me prani të organizatave terroriste.

“Lufta jonë kundër terrorizmit do të vijojë me vendosmëri kudo që të ketë prani terroriste”, nënvizoi lideri turk./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne