Erdogan: Marrëdhëniet mes Turqisë e Gjermaninë do të kthehen në normalitet pas zgjedhjeve

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të shtunën se beson se tensionet e vazhdueshme midis Turqisë dhe Gjermanisë janë rezultat i politikës së brendshme, kryesisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në vend, duke theksuar se ai pret që marrëdhëniet mes dy vendeve të kthehen në normale pasi gjermanët të shkojnë në votime.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së një impianti pijesh në provincën Isparta, Erdogan tha se vendet evropiane shfrytëzojnë marrëdhëniet me Turqinë gjatë periudhës së zgjedhjeve.

“Ne e dimë se shumica e kritikave që vendet europiane drejtojnë drejt nesh kanë të bëjnë me politikën e tyre të brendshme”, tha Erdogan.

Ai i referohej qëndrimit të Hollandës gjatë referendumit të reformës kushtetuese të Turqisë në prill, i cili sipas tij ishte plotësisht i bazuar në interesat e tyre në zgjedhje.

“Në të kaluarën, vendet si Austria dhe Franca kanë përdorur gjithashtu masa të tilla”, tha Erdogan, duke shtuar se Gjermania po ndjek të njëjtën rrugë për të dëmtuar marrëdhëniet me Turqinë në mënyrë që të fitojë vota në zgjedhje.

Pas tensioneve mbi fushatën e referendumit, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Turqisë u tendosën përsëri në qershor, pasi Ankaraja refuzoi takimin e deputetëve gjermanë me ushtarët e tyre të vendosur në Bazën Ajrore të Incirlikut në krahinën jugore të Adanës.

Deputetët gjermanë kohët e fundit kërkuan një vizitë të ushtarëve të tyre në një bazë ajrore të NATO-s në krahinën qendrore të Konjas, ku trupat gjermane janë të stacionuara si pjesë e operacioneve të NATO-s. Me përpjekjet nga NATO, Ankaraja konfirmoi se do të lejonte një delegacion parlamentar gjerman të vizitonte bazën nën mbikëqyrjen e një zyrtari të lartë të NATO-s. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne