Erdogan mbërrin në Hartum për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Sudan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti pasditen e së dielës në kryeqytetin Hartum të Sudanit për një vizitë dyditore, e cila synon thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Duke arritur në kryeqytetin sudanez, kreu i shtetit turk nis një turne rajonal në 3 vende afrikane. Ai do të vizitojë gjithashtu Çadin dhe Tunizinë midis së martës dhe të enjtes.

“Në bisedimet e planifikuara të realizohen në të tria këto vende, me të cilat kemi lidhje rrënjësore historike dhe kulturore, përveçse do të trajtohen të gjitha dimensionet e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve tona, do të shkëmbehen mendime edhe për zhvillimet rajonale e ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Presidencës së Turqisë.

Erdogani shoqërohet nga një delegacion i madh që përfshin ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ministrin e Arsimit Kombëtar, Ismet Yilmaz, ministrin e Bujqësisë, Ahmet Esref Fakibaba, ministrin e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus, ministrin e Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, Ahmet Arslan, ministrin e Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Nurettin Canikli, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneralarmate Hulusi Akar dhe rreth 150 biznesmenë.

Kjo vizitë, e para historike nga një president turk në Sudan, do të dominohet nga forume të biznesit për të diskutuar investimet dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve për të forcuar partneritetet ekzistuese ekonomike në fushat e prodhimit bujqësor, arsimit të lartë, mjedisit, ushtrisë, minierave, energjisë, shëndetit dhe turizmit.

Gjatë vizitës, Erdogani do të takohet me homologun e tij sudanez, Omar Al-Bashir, si dhe do t’i drejtohet me një fjalim Parlamentit të këtij vendi mbrëmjen e së dielës.

Të hënën, lideri turk do të marrë pjesë në një forum biznesi turko-sudanez, të cilin do ta drejtojë bashkë me homologun Al-Bashir

Vëllimi tregtar aktual midis Turqisë dhe Sudanit është rreth 500 milionë dollarë, sipas Institutit Turk të Statistikave (TUIK).

Eksportet e Turqisë në Sudan arritën në 328,5 milionë dollarë gjatë periudhës janar-tetor 2017, ndërsa importet nga ky vend ishin 78,3 milionë dollarë.

Firmat turke në Sudan veprojnë në sektorin e prodhimit, industrisë, energjisë, shërbimit, bujqësisë dhe makinerive duke ndihmuar në avancimin e ekonomisë së Sudanit dhe kontribuuar në punësim.

Udhëtimi i Erdoganit vjen 4 ditë pasi Asambleja Përgjithshme e OKB-së refuzoi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne