Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot në Ankara deklaroi se Turqia nuk ka bërë asnjë hap të gabuar në Siri.

“Andaj nuk dyshojmë se me fytyrë të ndritshme do ta përfundojmë edhe këtë provim në Idlib”, tha Erdoğan, duke komentuar marrëveshjen që Turqia dhe Rusia arritën në krijimin e një zone të demilitarizuar për mbrojtjen e civilëve në rajonin sirian të Idlibit.

Erdoğan sot iu adresua deputetëve të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Kuvendin e Madh Popullor të Republikës së Turqisë dhe tha se ky opsion politik karakterizohet nga fakti se vetë populli ka vepruar dhe se të gjitha aktivitetet punojnë në kontakt të drejtpërdrejt dhe bashkëpunim me njerëzit në terren.

Duke theksuar se forca dhe stabiliteti i Partisë AK do të thotë forca e Republikës së Turqisë, Erdoğan tha se një shtet i madh dhe i fortë nënkupton aftësinë e themelimit të saj për t’u marrë me sfidat e mëdha në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

Erdoğan deputetët i informoi edhe për vizitën e paradokohshme zyrtare në New York dhe Berlin, dhe tha se është me rëndësi që Turqia të mbetet aktive në të gjitha temat rajonale dhe globale meqë do të pyetet për sa kohë që është e pranishme në tryezat e negociatave.

“Fjala juaj pyetet vetëm nëse jeni të pranishëm në terren, në të kundërtën të gjithë ju kalojnë. Andaj ne që nga fillimi flasim se bota është më e madhe se pesë anëtarë të mëdhenj, të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është teza jonë dhe do ta bindim tërë botën për korrektësinë e saj”, tha Erdoğan.

Presidenti turk Erdoğan ka njoftuar se një samit i udhëheqësve të Turqisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës do të mbahet në Stamboll deri në fund të këtij muaji apo muajit të ardhshëm, me qëllim harmonizimin e qëndrimeve lidhur me situatën në rajon.

Duke kujtuar se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York u takua veçmas me krerët e 14 vendeve, Erdoğan tha se të gjithë ata janë mirënjohës ndaj Turqisë për përpjekjet e mëdha që po investon në kujdesin e 3.5 milionë refugjatëve nga Siria.

Ai tha se Turqia ka hyrë në negociata me Rusinë për të parandaluar sulme të mëtejshme në Idlib për të parandaluar një valë të re refugjatësh drejt Turqisë dhe Evropës.

“Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një detyrë e vështirë, por ajo është e nevojshme dhe ne jemi të bindur për suksesin përfundimtar”, tha Erdoğan.

Burimi: AA

22