Erdogan: Në vendet ku ata dërgojnë armë ne dërgojmë ndihma humanitare

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se Forcat e Armatosura të Turqisë kanë shënuar progres të rëndësishëm gjatë operacionit “Dega e Ullirit” në zonën Afrin të Sirisë.

“Kemi hyrë dhe po hyjmë në Afrin, jemi shumë afër”, bëri të ditur Presidenti Erdogan.

Në fjalën e tij të mbajtur me rastin e ceremonisë së kremtimit të 14 Marsit Festës së Mjekësisë të mbajtur në Kompleksin Presidencial në Ankara, kreu i shtetit turk tha se qëllimi i Turqisë nuk është pushtimi i territoreve, por parandalimi i krijimit të korridorit terrorist në kufijtë e saj dhe spastrimi i zonës nga terroristët.

“Në vendet ku ata dërguan armë ne dërgojmë ndihma për njerëzit në ato zona me Gjysmëhënën e Kuqe Turke, Agjencinë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Gjendjeve Emergjente (AFAD) dhe me Fondacionin e Entit për Çështje Fetare (Diyanet) dhe kjo është ajo që na dallon neve”, deklaroi Erdogan.

Duke aluduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti gjatë fjalimit të tij tha se “Në Siri janë ngritur 20 baza ushtarake, ndërsa shtroi pyetjen se Pse u ngritën ato?”.

“Pse janë ngritur këto baza këtu? Ato ose kanë të bëjnë me Turqinë ose me Iranin, e jo me Rusinë. Sepse kjo do të nënkuptonte Luftën e 3-të Botërore. Ne kemi kufi në këtë zonë, por a kanë ShBA-të kufi këtu? Apo a kanë edhe forcat e koalicionit ndërkombëtar kufi këtu? Rusia bashkëvepron me regjimin sirian, mirëpo me kë bashkëveprojnë forcat e koalicionit ndërkombëtar?”, pyeti Presidenti Erdogan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne