Erdogan paralajmëron vendet afrikane kundër FETO-s: Sa më shpejt të veproni, aq më mirë për ju

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi të mërkurën në mbrëmje vendet afrikane kundër kërcënimit të organizatës terroriste gyleniste (FETO), e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi.

“Sa më shpejtë që miqtë tanë afrikanë të marrin masa kundër organizatës, aq më mirë do të jetë për vetë ata, për fëmijët dhe të ardhmen e tyre”, deklaroi ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij gambian, Adama Barrow, në Ankara.

Erdogan tha se “kjo strukturë (FETO), e cila nuk heziton të derdhë gjak për interesat e saj, është një kërcënim i madh jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet ku ajo është e pranishme”.

Kreu i shtetit turk po ashtu vlerësoi Gambian për mbështetjen e saj ndaj Turqisë në luftën kundër grupit terrorist në fjalë.

“Gambia është një vend mik i yni, që ka ofruar mbështetjen më të vendosur në luftën tonë kundër FETO-s. Gambia ka qenë vendi i parë afrikan, i cili mbylli shkollat e FETO-s”, sqaroi Erdogan duke falënderuar ekzekutivin dhe popullin gambian për ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Më tej, presidenti turk njoftoi edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e arsimit ndërmjet dy vendeve.

“Në kuadër të politikës sonë të partneritetit me Afrikën, ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet në të gjithë këtë kontinent. Shekulli i ardhshëm do të jetë i Afrikës. Me këtë vizion e largpamësi, vendi ynë është i vendosur që të çojë përpara bashkëpunimin me shtetet afrikane”, theksoi Erdogan.

Kurse lideri mysafir shprehu mirënjohjen e vendit të tij për Turqinë, si një shtet që ka ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënie të mira me Gambian. Ai vuri në pah se Turqia është një vend shumë tolerant.

“Turqia ka qenë gjithmonë një vend model për të gjithë botën dhe besoj se do të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Në diplomaci, gjithmonë keni qenë një vend udhëzues. Turqia është një vend që ka pranuar të krishterët dhe hebrenjtë. Kjo lloj tolerance flet më së miri për ju”, deklaroi Presidenti Barrow.

Deri më tani, rreth 30 vende afrikane i kanë mbyllur shkollat e FETO-s me kërkesë të Ankarasë ose ia kanë dorëzuar ato Fondacionit “Maarif”, të cilin Turqia e themeloi për të marrë administrimin e shkollave të lidhura me këtë organizatë terroriste jashtë shtetit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne