Erdogan-Rama-Vuçiç, së shpejti takim tresh në Preshevë: Ç’po gatuhet për rajonin?

Pas takimit që ka zhvilluar në Stamboll ndërmjet liderit boshnjak dhe presidentit të Serbisë, kreu i shtetit turk, Rexhep Tajiip Erdogan do të zhvillojë një tjetër të ngjashëm ndërmjet Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se takimi mes presidentit të Turqisë, atij të Serbisë dhe kryeministrit shqiptar pritet të zhvillohet në qershor në qytetin e Preshevës.

Siç mësohet, takimi zhvillohet si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të rritur bashkëpunimin në Ballkan. E ngjashme me vizitën e Novi Pazarit, ku Erdogan lançoi një plan investimesh në ndihmë të popullsisë, edhe në Preshevë pritet të jepet mesazhi i kontributit të Ankarasë për të stabilizuar raportet në Ballkan.

Vitin e shkuar, pasi vizitoi Shtëpinë e Bardhë, Trump i ka kërkuar presidentit turk që të ndikojë në relaksimin e raporteve në rajon, duke promovuar bashkëpunimin dhe ulur mundësitë e përplasjeve.

Takimi i fundit i Stambollit ku Erdogan u takua me Vuçiç dhe Izetbegoviç, ishte një përpjekje për të zbutur marrëdhëniet mes serbëve dhe boshnjakëve, ku presidenti turk po luan rolin jo thjeshtë të një ndërmjetësi, por një aktori aktiv që lëviz drejt promovimit të dialogut dhe diskutimit.

Në Preshevë, pritet që si Vuçiç e si Rama, e padiskutim Erdogan, të flasin për një dialog intensiv mes shqiptarëve dhe serbëve.

Kohët e fundit nga subjekte politikë shqiptare të Preshevës është rritur doza e kërkesës për shkëmbimin e territoreve ndërmjet veriut të Kosovës dhe Preshevës, në rast një ndarje të mundshme të tre komunave mbi lumin Ibër.

Siç mësohet, takimi i Preshevës do të tentojë të shkurajojë zgjidhjet traumatike dhe të krijojë mundësi më të madhe të një bashkëjetese të shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, kreu i Alternativës për Ndryshim ka marrëdhënie të mira si me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por edhe me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajiip Erdogan.

Pikërisht ky fakt do të shërbejë që të ndërtohet një raport me besim të ndërsjelltë mes Arifit dhe presidentit serb Vuçiç, megjithëse dialogu mes tyre ekziston.

Ka shumë gjasa që të promovohet një platformë e përbashkët e shqiptarëve të Preshevës, e cila ngjashëm si ajo e shqiptarëve të Maqedonisë të kthehet në axhendë qeveritare.

Por kjo do të kërkojë një proces të kujdesshëm negociatash mes palëve, ku mësohet se Ankaraja do të zhvillojë përpjekje për ta promovuar dialogun.

Vizita e Erdogan në Preshevë pritet me interes të posaçëm, pasi nga shqiptarët Ankaraja shikohet si një aleat i rëndësishëm që mbron interesat e tyre.

Ndërkohë edhe Vuçiç ka ngritur një raport të rëndësishëm me Turqinë dhe vetë Erdoganin, duke zbutur pengesat që kanë ekzistuar mes palëve.

Disa kompani turke kanë hapur në Preshevë fabrika të industrisë së lehtë të tipit fason. Këtë vit pritet që të zgjerohet ky investim, duke u lidhur me rrjetin që është ngritur në Novi Pazar, ku ekzistojnë një numër i madh fabrikash të tilla.

Këto njësi industriale rrisin punësimin, një plagë kryesore në Luginën e Preshevës, por nga ana tjetër ndikojnë edhe në rritjen ekonomike të zonës.

Kompanitë turke po e shohin gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor si një treg tërheqës dhe vit pas viti po afrohen në të gjitha fushat ekonomike, që nga industria e lehtë e ushqimore, deri tek energjia, metalurgjia e rëndë dhe transportet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne