Erdogan: Sistemi S-400, i rëndësishëm për garantimin e sigurisë së Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqia ka nevojë për t’u pajisur me sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 për të garantuar sigurinë e saj, pasi vendit i janë mohuar të gjitha alternativat e tjera.

“Secilit i jepet e drejtë në luftën kundër terrorizmit, por gjërat ndryshojnë kur bëhet fjalë për Turqinë, ndërkohë që ne jemi lënë vetëm përballë sulmeve ndaj vendit tonë nga veriu i Irakut prej vitesh dhe nga Siria”, tha Erdogan në një ceremoni diplomimi në një shkollë ushtarake në Balıkesir, duke iu referuar sulmeve të organizatave terroriste ndaj Turqisë.

“Çfarë bënë ata kur nga Siria u kryen 127 sulme me artileri dhe mortaja në drejtim të qyteteve Kilis, Gaziantep, Reyhanlı dhe Kırıkhan, kur shtatë shtetas tanë humbën jetën dhe 125 të tjerë u plagosën. Ata i hoqën sistemet e mbrojtjes ajrore që ishin të pozicionuara më parë”, shtoi presidenti turk.

Ai theksoi se Turqisë madje nuk i janë dhënë armët që ka kërkuar për mbrojtjen e kufijve, duke shtuar se armët që Turqia ka kërkuar t’i blejë, organizatave terroriste u janë dhënë falas dhe se i janë mohuar edhe alternativat e tjera.

“Është e pamundur që ne t’i pranojmë këto imponime. Turqia ka nevojë për sistemet S-400 dhe tashmë ka marrëveshje të arritur. Andaj, shpresojmë që së shpejti t’i marrim”, deklaroi Erdogan.

Dhjetorin e kaluar, Turqia njoftoi se kishte përfunduar marrëveshjen me Rusinë për blerjen e dy sistemeve S-400 deri në fillim të vitit 2020.

Këtë prill, dy palët ranë dakord për dorëzim më të hershëm të sistemeve.

S-400 është sistemi më i përparuar anti-ajror me rreze të gjatë i Rusisë, me aftësi për të bartur tri lloje të raketave të afta për të shkatërruar objektivat, duke përfshirë raketat balistike dhe raketat “lundruese”. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne