Erdogan: Turqia dhe SHBA-ja mund ta transformojnë Rakan në ‘varrezë’ të ISIS-it

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën se edhe durimi ndaj hipokrizisë evropiane ka një kufi.

Kreu i Shtetit turk mbajti një fjalim në Qendrën e Kongreseve Haliç të Stambollit, ku u organizua takimi i zakonshëm i asamblesë së përgjithshme të Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve të Turqisë(TUMSIAD).

Erdogani reagoi edhe një tjetër herë kundër Bashkimit Evropian për zvarritjet e vazhdueshme të negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Union dhe për zbatimet raciste, fashiste e naziste kundër disa ministrave turq duke mbështetur fushatën “Jo” në lidhje me referendumin e 16 prillit për reformën kushtetuese, e cila përfshin edhe tranzicionin e vendit të sistemin presidencial.

“Nëse doni të zgjidhni diçka, atëherë zgjidhni fillimisht këtë. Ky popull ka një durimi dhe durimi ka një kufi”, tha Presidenti Erdogan duke paralajmëruar se një votim plebishitar mund të organizohet edhe për çështjen e anëtarësimit në BE, në rast se paraqitet nevoja.

Më tej, lideri turk potencoi se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri brenda dhe jashtë vendit, ndërsa bëri me dije se të paktën 220 terroristë janë neutralizuar gjatë operacionit ajror të forcave turke të sigurisë kundër PKK-së në Sinxhar të Irakut Verior dhe Karaçok të Sirisë Veriore.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të bëjmë kur të vijë momenti. Një natë mund të vijmë papritmas”, tha ai duke sinjalizuar kështu një operacion të ri të mundshëm jashtë kufijve të Turqisë.

Presidenti Erdogan theksoi gjithashtu se vendi i tij dhe SHBA-ja, nëse bashkojnë forcat, mund ta transformojnë Rakan në “varrezë” të organizatës terroriste ISIS.

“Amerika, koalicioni dhe Turqia mund të bashkojnë forcat dhe ta transformojnë Rakan, bastion i ISIS-it në Siri, në varrezë të kësaj organizate terroriste”, nënvizoi Erdogan gjatë fjalimit në Stamboll.

Vlen të rikujtojmë se Erdogani do të shkojë në SHBA gjatë muajit maj për të takuar homologun amerikan, Donald Trump, për herë të parë.

Nga ana tjetër, pasi vuri në dukje se do të bëhet përsëri anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), ku ai është themelues, Presidenti Erdogan u shpreh me këto fjalë: “Të martën e ardhshme, si rrjedhojë e ndryshimeve kushtetuese të 16 prillit, do të bëhem përsëri anëtar i partisë ku jam themelues. Ndërsa në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të zhvillohet më 21 maj, do të zgjidhet mënyra e re e drejtimit të forcës politike. Me energjinë, që do të marrim nga këtu, por edhe me forcimin e mekanizmave partiake, do të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë mënyrë do të kërkojmë të rrisim bashkëpunimin dhe të marrim besimin nga populli ynë.”

Kreu i Shtetit të Turqisë në fund u bëri thirrje edhe biznesmenëve anembanë vendit duke thënë se çdo potencial i papërdorur është një humbje e madhe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne