Erdoğan: Turqia ka filluar punimet për sistemin kombëtar të mbrojtjes ajrore

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se “Turqia ka nisur punimet për formimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes ajorore nga raketat me rreze të gjatë”.

“Kanë filluar punimet për formimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes ajorore nga raketat me rreze të gjatë. Dëshiroj që sistemi kombëtar i mbrojtjes ajrore ndaj raketave me rreze të gjatë, të cilën e kemi nisur me emrin ‘Siper‘ të shërbejë për mirë”, tha presidenti Erdoğan gjatë një fjalimi duke iu drejtuar pjesëmarrësve në ceremoninë e hapjes së infrastrukturës së zhvillimit të teknologjisë kombëtare të organizuar në ndërtesën e TÜBİTAK SAGE në Ankara.

“Turqia po përparon me shpejtësi drejt arritjes së niveleve të larta në të gjitha fushat e teknologjive të mbrojtjes, aviacionit dhe asaj hapësinore. Pjesa e prodhimit vendor në industrinë e mbrojtjes së Turqisë është 65 për qind dhe ne do ta rrisim gjithashtu atë”, tha Erdoğan.

Në vijim presidenti turk tha se, “Ne e dimë se një nga arsyet që qëndrojnë pas sulmeve që janë intensifikuar në vitet e fundit kundër Turqisë është reagimi ndaj politikave të pavarura që ne kemi zbatuar”.

“Mund ta arrijmë dhe do të arrijmë objektivin e Turqisë së pavarur dhe të fortë duke vazhduar pa ndërprerë veprimet kombëtare që i kemi filluar në industrinë tonë të mbrojtjes”, shtoi ai.

“Në kohën aktuale duhet të zhvillojmë teknologjinë vendase në të gjithë fushat për të patur baza të forta të pavarësisë. Ashtu sikurse në industrinë e mbrojtjes, nuk kemi alternativë tjetër përpos se të bëhemi një vend që zhvillon, prodhon dhe eksporton teknologji të mjaftueshme edhe në fusha të tjera. Deri tani kemi prodhuar dronë të paarmatosur (IHA) dhe ato të armatosur (SIHA) dhe shpresojmë se do të përparojmë edhe më tej. Ne po nxitim nëpërmjet programeve të ndryshme kthimin e shkencëtarëve dhe ekspertëve në vend në mënyrë që të ofrojnë kontribute në projektet që kanë vlera strategjike për vendin tonë”, tha Erdoğan.

Në lidhje me përparimet që Turqia ka shënuar në zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë kombëtare, Erdoğan tha se kanë arritur rezultate të rëndësishme kryesisht në sistemin vëzhgues me rezulucion të lartë, sistemet satelitore dhe nënsistemet e komunikimit, sistemet e lëshimit të satelitëve, si dhe në sistemet e përpunimit të të dhënave satelitore, ruajtjen dhe sistemet e mbështetjes së informacionit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne