Erdogan: Turqia merret në shënjestër për shkak të sukseseve në arenën ndërkombëtare

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) theksoi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sillet sipas dëshirës së tij (bën sipas qejfit) duke marrë vendime sanksionesh.

Erdoan mbajti një fjalim në drekën e shtruar për pjesëmarrësit e Konferencës së 10-të të Ambasadorëve në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Ai tha se Turqia është marrë në shënjestër për shkak të fitoreve ndërkombëtare që ka arritur këto vitet e fundit dhe ashtu si në fushat e tjera Turqia ka mbetur ballë për ballë një rrethimi edhe në ekonomi.

“Duket qartë se sulmet që filluan në vitin 2013-të me Parkun Gezi, tentativa për grusht ndaj juridiksionit në 17/25 dhjetor dhe që u përshkallëzuan me tentativën tradhtare për grusht shteti në 15 korrik 2016 do të vazhdojnë edhe për një kohë” tha Erdoan.

“Ne duhet të jemi të përgatitur ndaj llojeve të ndryshme të këtyre goditjeve që kanë në shënjestër interesat ekonomike të pavarura të Turqisë, ndjeshmërinë dhe dinjitetin e krenarisë kombëtare të saj. Arsyeja kryesore që kohët e fundit përballemi me një sërë operacionesh terrori, manipulimesh ekonomike është vendosmëria jonë për të qëndruar pa tolerancë kur bëhet fjalë për interesat tona kombëtare” u shpreh presidenti turk.

Ai theksoi se në një kohë të shkurtër kanë deshifruar lojërat e thurura mbi organizatën terroriste dhe i kanë tejkaluar ato dhe shtoi: “Ne nuk lejuam krijimin e një korridori terrori që kërkohej të krijohej përreth nesh me pretekstin e luftës kundër terrorit në Siri”.

Zhvillimet në kursin e valutës nuk kanë asnjë bazë ekonomike dhe nga të gjithë pranohet se kjo ka një natyrë plotësisht sulmuese ndaj Turqisë – tha Erdoan dhe shtoi: “Ti (Trump) nuk mund të thuash unë desha dhe e bëra, le të jesh sa të duash President, e të jesh kush të jesh. Nuk mund të biesh gjumë natën e të ngrihesh në mëngjes e të thuash i vura kaq taksa çelikut e hekurit. Të gjitha vendet i bëjnë llogaritë sipas një vazhdimësie. Pas kësaj a mund të ketë një siguri ndërkombëtare? Nga njëra anë do jesh partner strategjik nga ana tjetër ‘do qëllosh me plumba në këmbë’ partnerin strategjik. Nga njëra anë do qëndrosh bashkë kur të gjithë braktisin Afganistanin, do qëndrosh bashkë në Somali e NATO dhe pastaj do e goditësh partnerin pas shpine. Kjo është e papranueshme”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne