Erdogan: Vendimi amerikan për Jeruzalemin një “bombë për Lindjen e Mesme”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan akuzoi sot SHBA-në se kishte hedhur një bombë për Lindjen e Mesme duke shpallur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, një masë që ka ngjallur reagime të ashpra në rajon.

“Vendimi i marrë nga Amerika përsa i përket Jeruzalemit është një bombë e hedhur në Lindjen e Mesme”, deklaroi Erdogan gjatë ceremonisë së inaugurimit të linjës së parë të metrosë automatike në Stamboll.

Presidenti turk është një prej kritikëve më të ashpër të vendimit të njoftuar më 6 dhjetor nga presidenti amerikan, Donald Trump për të njohur Qytetin e Shenjtë si kryeqytet të Izraelit.

Gjatë një samiti një Stamboll, 57 anëtarët e Organizatës Islamike për Bashkëpunim (OCI) i kërkuan komunitetit ndërkombëtar të njohë Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të Shtetit palestinez.

“Myslimanët nuk mund të pranojnë (…) përpjekjet për të bërë Jeruzalemin kryeqytet të një shteti terrorist”, deklaroi Erdogan, duke iu referuar Izraelit.

Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar marrëdhëniet e tyre vitin e kaluar, pas krizës diplomatike të shkaktuar nga një sulm izrealit kundër një anijeje të një OJQ-je turke që ishte nisur drejt Rripit të Gazës në 2010.

Dy vendet kanë intensifikuar bashkëpunimin veçanërisht në fushën e energjisë.

Por, që prej njoftimit amerikan, presidenti turk kritikoi ashpër shtetin hebre./
/ec/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne