Erdogan: Vendimi i kurdëve të Irakut për pavarësi, një gabim i madh

Në fjalën drejtuar grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se vendimi i administratës rajonale kurde në veri të Irakut lidhur me mbajtjen e një referendumi për pavarësi është një gabim i madh.

Një vendim i tillë na ka mërzitur thellësisht, tha Erdoan duke shtuar se vendimi për të mbajtur referendumin për pavarësi është një kërcënim për tërësinë territoriale të Irakut dhe një hap i gabuar.

“Ne do të dëshironim që kjo të bëhej duke ndjekur rrugën e konsultimit. Pasi Iraku i veriut në këtë rajon nuk jeton vetëm. Në Mosul ata (kurdët) jetojnë bashkë me arabët, në Kirkuk janë me turkmenët. Ne përherë kemi mbrojtur mendimin që hapa të tillë të hidhen me paqe duke respektuar integritetin territorial të Irakut. Herë pas herë kemi parë që peri aty edhe është këputur. Kjo (vendimi) na ka hidhëruar neve. Në lidhje me këtë ka bërë deklaratë edhe Ministria jonë e Punëve të Jashtme. Kjo nuk është në të mirën e askujt”, theksoi Erdoan.

Në fjalën e tij kreu i shtetit turk u ndal edhe në krizën e Gjirit.

“Shikojmë se janë duke u bërë gabime shumë serioze në lidhje me Katarin. Nuk është njerëzore të izolosh popullin e një vendi, kurse e parë në aspektin e fesë islame një diçka e tillë është e papranueshme. Bashkë me Turqinë, Katari është një vend që shfaq qëndrimin më të vendosur kundër organizatës terroriste DAESH. Këtu nuk ka përse të mashtrojmë njëri-tjetrin. Rajonit nuk do ti sillte asnjë dobi vendosja e Katarit në bankën e të akuzuarit. Ata që i dalin për zot PYD/YPG, zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, me këto vendime që po marrin po hedhin hapa të gabuar që do të kenë një kosto shumë të lartë”, nënvizoi ai.

“Bëhet fjalë për një vend (Katarin), sikur të ishte dënuar me vdekje”, e vazhdoi fjalën e tij Erdoan, ndërsa shtoi se “Arabia Saudite, vendi më i madh i Gjirit, duhet ta zgjidhë këtë çështje, duhet të udhëheqë hapat që duhen hedhur në këtë drejtim”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne