Erdogani papritmas hap zjarr ndaj Asadit dhe rinovon kërkesën për largimin e tij

Siria përgjigjet duke e akuzuar atë për “paranojë” dhe kryerje krimesh kundër sirianëve. Çfarë e shpërtheu këtë “zemërim erdoganian”? Ka pesë mundësi që mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje dhe të shpjegojnë tiparet e fazës tjetër në Siri

Abdul-Bari Atuan

Ndoshta nuk ekzagjerojmë nëse themi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është një nga udhëheqësit më të diskutueshëm të Lindjes së Mesme, madje edhe në rang global, si dhe më i vështiri për politikanët dhe analistët për t’iu parashikuar qëndrimet, lëvizjet dhe aleancat e tij. Deklaratat e tij “surprizuese” të fundit erdhën në një konferencë shtypi të mbajtur me presidentin tunizian Béji Kayed Sebsi, në të cilën ai sulmoi presidentin Bashar al-Asad duke e cilësuar atë “terrorist” dhe se nuk mund të arrihet një zgjidhje në Siri ndërkohë që ai mbetet në pushtet, për të konfirmuar praktikisht këtë që themi.

Marrëdhëniet siriane-turke kanë hyrë në një shkallë të lartë zhvillimi pozitiv gjatë dy muajve të fundit për shkak të rolit aktiv të ndërmjetësit rus në afrimin mes të dy palëve dhe “armikut kurd” të supozuar, gjë që u shoqërua nga një armëpushim mediatik. Ka rënë në sy se presidenti Erdogan nuk ka drejtuar ndonjë sulm ndaj presidentit al-Asad që prej rreth një viti dhe nuk ka kërkuar largimin e tij, madje ka shkuar më larg se kaq muajin e kaluar, kur u tha gazetarëve që e shoqëronin në avionin e tij gjatë kthimit nga Samiti i Soçit – mes të cilëve ishte edhe korrespondenti i gazetës “Hurriyet” të përhapur gjerësisht – se ai nuk përjashton hapjen e kanaleve të dialogut me Sirinë, duke shtuar: “Në politikë, dyert mbeten gjithmonë të hapura deri në momentin e fundit” dhe duke mohuar njëkohësisht ç’kishte publikuar e njëjta gazetë për një takim sekret midis tij dhe presidentit sirian.

Pyetja që paraqitet fuqishëm është rreth arsyeve të këtij “zemërimi erdoganian”, i cili shkaktoi një reagim të fortë sirian ndaj tij, që arriti deri në pikën e akuzimit nëpërmjet deklaratës së ministrisë së jashtme siriane se ai po mashtron opinionin publik turk me “flluskat” e tij të zakonshme “për të shfajësuar veten nga krimet që ka kryer ndaj popullit sirian duke ofruar mbështetje të pakufizuar në forma të ndryshme për grupet terroriste në Siri”. Më tej deklarata shton se “Erdogani e ka shndërruar Turqinë në një burg të madh” dhe e akuzon atë për paranojak.

***

Ka disa mundësi që mund të shpjegojnë këtë sulm të papritur nga presidenti Erdogan për presidentin Asad dhe rinovimin e kërkesës për largimin e tij.

Së pari: Këmbëngulja e palës ruse për përfshirjen e njësive kurde të mbrojtjes së popullit (PYD) në konferencën e dialogut sirian në vendpushimin e Soçit në fund të muajit të ardhshëm, gjë të cilën presidenti Erdogan e kundërshton me forcë dhe e shprehu këtë kundërshtim të tijin duke orientuar më shumë se 40 fraksione siriane opozitare të lëshojnë një deklaratë me anë të së cilës të refuzojnë pjesëmarrjen në konferencë.

Së dyti: Është lëvizja e përbashkët siriane-ruse drejt Idlibit dhe përpjekja për ta rikthyer atë. Kjo do të thotë përfundim i pranisë turke në qytet dhe në rrethinat e tij, madje në mbarë Sirinë, si dhe migrim në Turqi i dhjetëra mijëra vetëve prej popullsisë së qytetit dhe luftëtarëve që ndodhen aty, nëse kjo lëvizje arrin të marrë nën kontroll qytetin dhe periferinë e tij.

Së treti: Deklarata e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, në të cilën tha se faza e ardhshme në luftën siriane është eliminimi i pakthyeshëm i “Frontit al-Nusra”, pasi konsiderohet një grup terrorist. Procesi i likuidimit filloi me evakuimin e luftëtarëve të tij nga periferia perëndimore e Damaskut (Ghouta). Më pas pritet që të fillojë faza përfundimtare në Idlib.

Së katërti: Fluksi i lajmeve për ekzistencën e një plani ruso-sirian për të vrarë Ebu Muhamed el-Xhulanin, udhëheqësin e “Frontit al-Nusra”, i cili konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Turqisë, madje përshkruhet si një nga njerëzit e saj. Kjo e ka zemëruar Erdoganin personalisht, sepse ai e konsideron këtë plan targetim të tij në rast se realizohet.

Së pesti: Mbërritja tek autoritetet turke e disa informacioneve të inteligjencës, të cilat bëjnë me dije se autoritetet homologe siriane koordinojnë në rang ushtarak intensivisht me kurdët në Afrin dhe në zona të tjera në veriun kurd të Sirisë, gjë e cila konsiderohet vijë e kuqe për presidentin Erdogan. Ky informacion është përforcuar nga pritja që i bëri presidenti Al-Asad disa ditë më parë një delegacioni të krerëve të disa fiseve kurde në Pallatin Muhaxhirin në Damask.

***

Është vështirë të parashikohet zhvillimi i kësaj krize të papritur midis presidentit Erdogan dhe aleatëve të tij rusë, përshkallëzimit të tij kundër presidentit Al-Asad dhe reagimit iranian ndaj tij. Por ajo që mund të thuhet hë për hë është se presidenti turk kërcënon t’ua kthejë tryezën përmbys të gjithëve dhe t’i përziejë kartat në një përpjekje për të detyruar në mënyrë specifike palën ruse që t’u përgjigjet kërkesave të tij, sidomos për “veto”-n në fytyrë të çdo pjesëmarrjeje kurde në Konferencën e Soçit në fund të muajit të ardhshëm, si rrjedhojë edhe për të ardhmen e Sirisë. Ndoshta dërgimi nga ana e tij e kryeministrit Benali Yildirim në Riad është një nga kartat e presionit që ai tund, sikur të përçonte një mesazh që thotë se alternativa tjetër është gati.

Rusët, sipas burimeve të afërta me ta, janë seriozë për të ecur përpara me përgatitjet për konferencën e dialogut në Soçi, për pjesëmarrjen e kurdëve si një nga komponentët sirianë dhe dhënien fund ekzistencës së Frontit Al-Nusra dhe fraksioneve të tjera të armatosura aleate të tij në rajonin e Idlibit, gjë e cila mund ta turbullojë e zbërthejë aleancën trepalëshe ruse-iraniane-turke – që u kristalizua në Samitin e Soçit rreth një muaj më parë – nëse nuk neutralizohet mosmarrëveshja me Turqinë dhe nuk absorbohet shpejt “zemërimi erdoganian”.

“Mëria” turke nuk është e re dhe përvojat e kaluara kanë vërtetuar se Vladimir Putin, me eksperiencën dhe dinakërinë e tij, është në gjendje të trajtojë në mënyrë efektive aleatët e tij “të zhurmshëm”, si rrjedhojë të absorbojë zemërimin e tyre dhe t’i kthejë ata përfundimisht në shtëpinë ruse të bindjes… Sepse opsionet e tjera janë të kufizuara dhe shumë të shtrenjta… Nuk na mbetet vetëm se të presim.

*Analizë e publikuar më datë 27.12.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ ML

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne