Erdogan do të niset në një turne dy ditor në Gjirin Arabik, për të diskutuar krizën e Katarit

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan do të fillojë një vizitë dy-ditore në vendet e Gjirit të dielën, si pjesë e përpjekjeve për të zgjidhur krizën diplomatike në rajon, sipas zyrës presidenciale të shtypit.

Erdogani do të vizitojë Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Katarin të dielën dhe të hënën, tha zyra në një deklaratë.

Ndalesa e tij e parë do të jetë qyteti saudit i Xhedas të dielën, ku ai do të takohet me Mbretin Salman bin Abdul Aziz al-Saud dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman al-Saud.

Ai pastaj do të niset për në Kuvajt dhe më vonë në Katar për të takuar Emirin e Kuvajtit, Sheikh Sabah al-Ahmad al-Sabah dhe Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Në axhendë do të jenë marrëdhëniet midis vendeve të Gjirit dhe liderët pritet të shkëmbejnë pikëpamjet mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, dhe të paraqesin një zgjidhje për t’i dhënë fund tensioneve rajonale, tha zyra.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Bahrejni, Jemeni dhe Libia ndërprenë lidhjet diplomatike me Katarin më 5 qershor, duke përmendur disa arsye.

Ndërsa Arabia Saudite akuzon Dohën për strehimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste, promovimin e grupeve terroriste në media dhe mbështetjen e milicisë së Houthit në Jemen, Kajro fajëson qeverinë e Katarit për “qëndrime armiqësore”, strehimin e Vëllazërisë Muslimane dhe mbështetjen e grupeve terroriste që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Egjiptit.

Doha i mohon akuzat dhe pretendon se bllokada është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne