Erdogani u bën thirrje muslimanëve të vizitojnë Jeruzalemin në mbështetje të palestinezëve

Presidenti turk e ka përshkruar trajtimin e Izraelit ndaj palestinezëve si “racist” dhe “diskriminues”, duke i kërkuar turqve dhe muslimanëve të tjerë të vizitojnë Jeruzalemin “më shpesh” për të mbështetur luftën palestineze për një shtet të pavarur.

Duke pretenduar se embargoja izraelite në Rripin e Gazës për një dekadë “nuk ka vend në humanizëm”, Erdogani i quajti praktikat izraelite kundër palestinezëve “raciste” dhe “diskriminuese”.

“Zgjidhja e vetme” për çështjen izraelito-palestineze është krijimi i “një shteti palestinez plotësisht sovran dhe të pavarur, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tij përgjatë vijave të vitit 1967”, theksoi Erdogan duke folur në Stamboll në Forumin Ndërkombëtar mbi Kudsin.

Fati i Jeruzalemit është një nga çështjet kryesore në proçesin e paqes izraelito-palestinez. Si Izraeli edhe Palestinezët dëshirojnë djepin historik fetar si kryeqytetin e tyre. Kombet e Bashkuara e konsiderojnë Jeruzalemin lindor si territor të pushtuar palestinez, por shpreson që një ditë Jeruzalemi do të bëhet kryeqyteti i dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.

Ndërsa Izraeli dhe Palestina e shpallin Jeruzalemin si kryeqytetin e tyre, palestinezët zakonisht i referohen Jeruzalemit Lindor si kryeqytet i shtetit të tyre të pavarur, duke nënkuptuar se nëse Jeruzalemi ndahet një ditë mes shteteve, Jeruzalemi Perëndimor mund të shërbejë si kryeqyteti i Izraelit.

Izraeli megjithatë refuzon të ndajë kujdestarinë e Qytetit të Shenjtë, të cilin e aneksoi në vitin 1967. Me Presidentin Donald Tramp në detyrë, Izraeli shpreson që Uashingtoni të jetë fuqia e parë e madhe për të njohur pretendimet e tij ndaj Jeruzalemit dhe për të braktisur politikën e disa dekadave për të mbajtur një ambasadë amerikane në Tel Aviv.

Ndërsa Trampi dhe Shtëpia e Bardhë presin që të ndihmojnë Izraelin për të arritur një marrëveshje paqeje me palestinezët, Erdogani tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë “përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Presidenti palestinez Mahmud Abbas.” Presidenti turk i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të tregojë kujdesin e nevojshëm” për çështjet që kanë të bëjnë me Jeruzalemin.

“Al-Kudsi [Jeruzalemi] është i shenjtë për të treja fetë hyjnore”, tha Erdogani, megjithëse qyteti mbetet një simbol i luftës palestineze që turqit duhet të mbështesin.

“Përsa i përket fesë sonë dhe përgjegjësisë historike, Al-Kudsi dhe lufta e vëllezërve tanë palestinezë për të drejtat dhe drejtësinë janë shumë të rëndësishme për ne. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që Kudsi të kthehet në një qytet të paqes”.

Për të ndihmuar çështjen palestineze, Erdogani u kërkoi më shumë muslimanëve të vizitonin Jeruzalemin.

“Ne, si muslimanë, duhet ta vizitojmë më shpesh Al-Kudsin [Jerusalemin],” tha Erdogani, duke vënë në dukje se vetëm 26,000 turq e vizituan Qytetin e Shenjtë në vitin 2015, krahasuar me 600,000 amerikanë dhe 400,000 ]rusë.

Pelegrinazhi masiv dhe “qindra mijëra” vizitorë muslimanë do të ishin mbështetja më e madhe për vëllezërit tanë atje,” vuri në dukje ai.

Presidenti turk mori gjithashtu kohë për të kritikuar përpjekjen e Izraelit për të kufizuar thirrjet muslimane për namaz (ezan), veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit përmes altoparlantëve.

“Nëse keni besim në fenë tuaj, pse keni frikë nga ezani?” Pyeti Erdogani. “Ne nuk do të lejojmë që ezani të ndalet në Al-Kuds”.

Në mars, Knesset (parlamenti) izraelit miratoi një lexim paraprak të një projektligji që do të ndalonte përdorimin e altoparlantëve në Izrael, midis orës 23:00 dhe orës 7:00. Megjithatë, projektligji duhet të aprovohet në Knesset. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne