Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, duket se do e shndërrojë Tiranës si Parisi. Teksa zgjedhjet e qershorit po afrojnë, Veliaj duket se po zbret në gjurmët e paraardhësit të tij, i cili premtoi se do të ndërtonte tram në Tiranë. Por ndryshe nga Lulzim Basha, Veliaj dje ka premtuar se do të sjellë në kryeqytet një tren hibrid, i cili nuk do të ndotë ambientin. “Lajmi i mirë që na erdhi nga Edi dhe Damiani është se do t’i rikthehemi trenit të Tiranës, aty ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është se do të kemi një tren elektrik në Tiranë. Kemi zgjedhur një tren hibrid, i cili do të punojë me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, do të punojë me energji elektrike”, shpjegoi Veliaj. Por tallja e Veliajt me qytetarët duket se shkon deri në kufijtë e marrëzisë. Tirana e kishte një stacion treni, por ishte vetë Veliaj ai që shembi dhe hoqi trenin nga kryeqyteti. Ky kryebashkiaku bëri që të jemi i vetmi kryeqytet në botë që nuk kemi një stacion treni. Por budallallëku nuk ndalet me kaq, pasi Veliaj harron se ku jeton dhe duket se ka ardhur nga një tjetër planet. Pak muaj më parë premtoi se do të instaloheshin në Tiranë autobusë elektrikë. Nuk dihet se ku ka përfunduar ky premtim. Tani premton trena hibridë, ndërkohë që Tirana ka me qindra probleme të tjera. Arsyeja që Veliaj largoi stacionin e trenit është se do ndërtonte një park autobusësh aty dhe do ishte një stacion qendror. Kjo nismë dështoi. Po ashtu ndërtoi rrugën e re e cila largoi stacionin e trenit, por edhe kjo është një rrugë e pa vlerë, pasi nuk ka përfunduar. Pra teksa zgjedhjet afrojnë, të gjithë mundohen të bëjnë premtime sa më të mëdha, por që shkojnë deri në marrëzi. Basha premtoi tram, ndërsa tani Veliaj premton tren hibrid. Por jo vetëm kaq, pasi treni do punojë me elektricitet vetëm në Tiranë, ndërsa kur të dalë nga kryeqyteti do të punojë me lëndë djegëse. Veliaj po e ndjen presionin se Rama mund të mos e rikandidojë në zgjedhje dhe tani po mundohet të bëjë sa më shumë përshtypje. Dje ka folur dhe Taulant Balla për rikandidimin e tij dhe e ka lënë pezull. “Institucionet funksionale të PS-së do të ushtrojnë detyrën e tyre. Rikandidimin e tij do e vlerësojnë forumet. Puna e Erion Veliajt flet vetë dhe justifikon mirëbesimin e Partisë Socialiste”, u shpreh Balla./Sot News/

11