“Europa duhet të reformohet”: Si u rrit e djathta ekstreme në 2017-tën

David CHILD

Ngritja e së djathtës ekstreme ishte një tipar përcaktues i politikës europiane në vitin 2017. Prirja kulmoi në dhjetor me Austrinë, teksa u bë i vetmi vend europian, që e sjell në qeverisje të djathtën ekstreme.

Një numër partish i kanë shfrytëzuar diskutimet mbi emigracionin, mbi Islamin dhe rolin e Bashkimit Europian, duke i konsideruar ato një kërcënim për sigurinë, për të fituar mbështetje që nga Franca deri në Poloni.

“E djathta ekstreme nuk e vuri emigracionin në agjendë; kriza e refugjatëve e bëri këtë,” është shprehur Cas Mudde, një ekspert në Universitetin e Xhorxhias mbi politikën e së djathtës ekstreme. “Sikur të mos kishim një të djathtë ekstreme, do të flisnim mbi emigracionin dhe Islamin, por ato do të kishin pasur një [rol] shumë të rëndësishëm në mënyrën se si flasim rreth këtyre gjërave.” Lëvizjet e së djathtës ekstreme, thotë ai, përkufizohen me “nativizmin, autoritarizmin dhe populizmin”.

“Brexit-i dhe Trump-i e përcaktuan 2017-n si vitin e populizmit dhe të së djathtës radikale,” i deklaroi ai Al Jazeera-s. “Është ende i pranishëm perceptimi i gjerë se të djathtat radikale janë parti shkreptimtare – ato dalin nga asgjëkundi, arrijnë sukses të madh, shkundin sistemin dhe më pas zhduken – që empirikisht nuk është e vërtetë për shumë prej tyre.”

E djathta ekstreme pati ndikim këtë vit te partitë tradicionale, të cilat u ndjenë të kërcënuara nga rritja e partive populiste.

“Kur partitë tradicionale rrëmbejnë agjendën e së djathtës radikale, edhe nëse nuk i vënë në zbatim politikat, ato po thonë se shqetësimet janë legjitime,” pohon Mudde.

Derisa e djathta ekstreme iu gëzua fitoreve dhe i ngriti lart ato, mijëra protestuan teksa politikanët ksenofobë dhe mbështetësit e tyre u mblodhën në salla konferencash, bënë fushatë në manifestime e marshuan përmes qyteteve. Dhe, me shumë fjalime urrejtjeje të shpërndara online, Twitter-i i fshiu në dhjetor llogaritë që u përkisnin lëvizjeve të së djathtës ekstreme. Por, a janë këto përpjekje të kënaqshme për ta larguar këtë tendencë të rrezikshme? Me zgjedhjet që do të vazhdojnë në Europë në vitin 2018, ndryshimi është i nevojshëm, ka nënvizuar Pietro De Matteis, zëvendëskryetari i Lëvizjes së Qytetarëve Paneuropianë “Stand Up for Europe”. “Europa duhet të reformohet dhe të reformohet rreth qytetarëve e me qytetarët. Unë shpresoj se 2018-ta është koha kur do të nisë kjo,” i bëri të ditur ai Al Jazeera-s.

Më poshtë i rihedhim një vështrim vitit.

Janar: udhëheqësit e së djathtës ekstreme takohen në Gjermani, mijëra protestojnë

Udhëheqësit e së djathtës ekstreme të Europës, përfshirë Marine Le Pen-in e Frontit Kombëtar të Francës dhe Geert Wilders-in e organizmit politik holandez Partia për Liri (PVV), u mblodhën më 21 janar në Koblenz të Gjermanisë nën patronazhin e Europës së Kombeve dhe Lirisë (ENF), grupimit më të vogël politik në Parlamentin Europian. Më së paku 3.000 persona protestuan kundër ksenofobisë ndërkohë që po zhvillohej takimi. Folësit i çmuan zgjedhjen e presidentit amerikan Donald Trump dhe votimin për Brexit-in në Britani si fitore për kauzën e tyre.

Trump-i do të shprehej ashpër në mënyrë të përsëritur në fushatën e tij kundër emigracionit dhe muslimanëve, ndërsa votimi britanik për t’u larguar nga BE-ja u pa nga mbështetësit e së djathtës ekstreme si një hap drejt kontrollit më të rreptë të kufirit.

Le Pen u tha pjesëmarrësve: “Bota anglosaksone u zgjua në 2016-tën … Në 2017-tën jam e sigurt se do të jetë viti i ngritjes së popujve kontinentalë.”

Mars: e djathta ekstreme bën përpara në Hungari, në Holandë

Janos Ader u rizgjodh si president në Hungari më 13 mars. Ai është anëtar i partisë konservatore qeverisëse Fidesz, të zhvendosur më në të djathtë, pjesërisht për shkak të një fushate kundër filantropistit dhe investuesit miliarder George Soros, institucionet e të cilit, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur (OSF), janë në mbrojtje të pranimit më të madh të refugjatëve dhe emigrantëve.

Në Holandë, zgjedhjet e përgjithshme të 15 marsit e panë partinë PVV të Geert Wilders-it të fitojë pjesën e dytë më të madhe të votave, me më shumë se 13 për qind në tërësi, dhe pesë vende më tepër se në zgjedhjet e 2012-s. Mark Rutte, kryeministri holandez, vijoi në rolin e tij. “Ca njerëz e lexuan rezultatin si një humbje për populistët, por ishte e kundërta,” komenton Daniele Albertazzi, një lektor i politikës europiane në Universitetin e Birmingemit. “Çelësi është se në ç’shkallë kanë ndikuar tek partitë e tjera, gjë që e kanë bërë në Holandë.”

Mudde pajtohet me këtë. “Suksesi i së djathtës radikale është në vënien e agjendës … Kush e vë më pas atë agjendë në zbatim nuk ka aq lidhje, mjafton fakti se përmbushet,” ka mendimin ai.

Maj: Le Pen me sytë kah presidenca franceze

Udhëheqësja e Frontit Kombëtar të Francës, Marine Le Pen, shkoi gjer në raundin e dytë dhe final të zgjedhjeve presidenciale franceze më 7 maj. Partia mori më shumë se 10 milionë vota, një paraqitje rekorde, por Emmanuel Macron fitoi me 66 për qind.

“Ai fitoi pa iu dorëzuar të djathtës ekstreme,” thotë Mudde. “Rutte fitoi në njëfarë mënyre në Holandë … duke adoptuar politikat, e madje ligjërimet e së djathtës radikale.”

Shtator: Alternativa për Gjermaninë shpërthen në zgjedhjet federale

Alternativa për Gjermaninë (AfD), që premtoi t’i ndalonte të tëra xhamitë dhe ta deklaronte si të paligjshme vënien e mbulesës, doli si forca e tretë politike më e madhe e vendit, Gjermanisë, duke fituar 12.6 për qind të votës popullore më 24 shtator.

Partia e Unionit Demokristian të Angela Merkel-it, e qendrës së djathtë, siguroi 33 për qind të votave, thuajse nëntë për qind më pak se votimet e 2013-tës.

“Të kishte marrë Merkel-i tre apo katër për qind më shumë, ne të gjithë do të ishim duke folur për fundin e populizmit dhe energjinë e re të liberaldemokracisë,” i tha Mudde Al Jazeera-s.

Angela Merkel është ende në përpjekje për të formuar një qeveri koalicioni.

Tetor: austriakët e mbështesin të djathtën ekstreme, hapin rrugën për koalicion

Partia e Lirisë (FPO), e udhëhequr nga Heinz-Christian Strache, në zgjedhjet e 15 tetorit në Austri fitoi 26 për qind të votave, duke u bërë partia e tretë më e madhe. Ajo hyri në qeveri në dhjetor, duke formuar një koalicion me kancelarin 31-vjeçar Sebastian Kurz dhe me organizmin e tij politik, Partinë Popullore Austriake. Të dyja partitë bënë fushatë për rregulla më të ashpra të emigracionit dhe për dëbimin e azilkërkuesve.

“Nuk ka asgjë të re në suksesin e këtyre partive,” sipas Albertazzi-t të Universitetit të Birmingemit. “Por, ka mundësi për ato tani të krijuara nga impaktet e globalizimit, të krizës së refugjatëve dhe shumë sulmeve terroriste në Europë.

“Këto [zhvillime] kanë përshpejtuar një proces që sidoqoftë po ndodhte.”

Tetor: e djathta ekstreme çeke përparon

Në Republikën Çeke, Partia e Lirisë dhe e Demokracisë së Drejtpërdrejtë, me qasje antiislame, siguroi 538.574 vota ose gati 11 për qind, dhe u bë një parti e re parlamentare.

E kryesuar nga Tomio Okamura, një politikan çeko-japonez, partia ka lidhje me Frontin Kombëtar të Le Pen-it.

Kjo parti priti në dhjetor në Pragë të djathtën ekstreme të Europës, ku udhëheqësit bënë thirrje për një Europë pa BE-në.

Nëntor: fashistët i bashkohen marshimit të 60.000 njerëzve në Poloni

Rreth 60.000 njerëz, duke përfshirë nacionalistët dhe fashistët, morën pjesë më 11 nëntor në Marshimin e Pavarësisë në Varshavë. Marshimi kishte një mesazh të qartë kundër Islamit dhe BE-së.

“Ne e dimë se politika e udhëhequr nga ekstremistët është një recetë për katastrofë,” thekson Matteis i Stand Up for Europe.

“Ne kemi pasur dy luftëra botërore në shekullin e fundit, nuk duam më konflikt… Ne ë bashku duhet të hartojmë një vizion të ri për të ardhmen e Europës, duke i diskutuar problemet që njerëzit i shohin si të trajtuara vetëm nga populistët.”/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne