Evropa e ka shkruar librin mbi demonizimin e refugjatëve, shumë kohë përpara se Trampi ta lexonte atë – Piro Rexhepi

Është bërë çështje besimi midis liberalëve se Donald Trampi është armiku më i madh në botë i refugjatëve dhe muslimanëve, ndërsa BE disi u ofron atyre një port të sigurt. Në fund të fundit, me fjalët “Ne mund ta bëjmë”, Angela Merkel ftoi një milion refugjatë sirianë në Gjermani, ndërsa ndalimi i udhëtimit nga Trampi u ka mbyllur derën e Amerikës disa prej njerëzve më vulnerabël të shpërngulur në botë. Në mendjen e sotme liberale, Brexit ka shkaktuar armiqësi kundër migrantëve, ndërsa BE është një parajsë e vlerave të civilizuara, që mbron refugjatët nga kërcënimi i së djathtës.

Megjithatë, po të ishit një emigrant në një varkë që po i afrohet Lesbos, trajtimi që do të merrnit nga Frontex, patrullimi kufitar i BE-së, nuk do të ishte më pak armiqësor se çdo gjë që mund të shkaktojë Trampi. Në Tunizi javën e kaluar u shfaq një video që tregonte policinë kufitare tuniziane teksa fshikullonte emigrantët nga vende të tjera në Afrikën veriore. Ky brutalitet u sponsorizua nga BE. Ashtu si Libia, Maroku, Turqia dhe Egjipti, Tunizia merr fonde dhe trajnime nga Brukseli nëpërmjet Politikës Evropiane të Fqinjësisë (ENP). Sipas një kuadri më të gjerë të “zhvillimit” dhe “reformave”, këto vende të ENP-së shërbejnë si bufer, duke u siguruar që refugjatët të ndalen dhe të kthehen prapa – ose, në Libi, të mbyllen dhe të torturohen në burgjet e refugjatëve – para se këta njerëz të dëshpëruar të mund të arrijnë brigjet e BE-së.

Ideja se Evropa e Merkelit dhe e Tereza Mej është më mikëpritëse për refugjatët sesa Amerika e Trampit, thjesht nuk mbështetet nga faktet. Marrëveshja e BE-së me Turqinë, e dënuar nga agjensitë humanitare, siguron që refugjatët që vijnë në Greqi – pavarësisht nga pika e nisjes – do të dërgohen në Turqi. Turqia tani ka popullsinë më të madhe të refugjatëve në botë, në rreth 3 milionë njerëz.

Këtë muaj, Britania mbylli premtimin e saj për të pranuar 3.000 fëmijë refugjatë të pashoqëruar. E shqetësuar se rruga ballkanike është një lidhje e dobët në Evropë, Austria ka mobilizuar anëtarët aspirantë të BE-së duke përfshirë Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën në një projekt të mbrojtjes kufitare të Ballkanit për të forcuar pikat hyrëse të refugjatëve në “korridorin ballkanik”. Vitin e kaluar policia maqedonase përdori gaz lotësjellës, granata dhe armë zjarri kundër irakienëve dhe sirianëve që përpiqeshin të kalonin përmes një gardhi me tela për në vend.

Franca shkatërroi kampin në Calais, duke i lënë refugjatët të flinin në pyje të ngrira dhe javën e kaluar policia e Parisit vendosi gurë nën një urë hekurudhore pranë një qendre refugjate me qëllim që të pengonte njerëzit të flinin aty. Njëri prej tyre tha për Daily Mail: “Ne nuk mund të hyjmë në qendër dhe ne brutalizohemi kur përpiqemi të flemë aty afër. Shkëmbinjtë janë të neveritshëm dhe çnjerëzorë”.

BE ka edhe vëzhgues të ekstremit të djathtë që ruajnë kufijtë e saj, siç është bullgari Dinko Valev që u filmua duke lidhur refugjatët sirianë, ku përfshihesin tre gra dhe një fëmijë, dhe duke pretenduar se ata po vinin në vend “që të na vrasin si qentë”. Në shumë video që qarkullojnë në internet, njerëz të tjerë kanë qënë aty për të ndihmuar vëzhguesit, duke pretenduar se janë “mbrojtës të grave dhe besimit”, dhe duke cituar sulmet e Këlnit si nxitjen e tyre kryesore për mbrojtjen e kufijve të BE-së.

Sidoqoftë, retorika anti-refugjate dhe anti-muslimane e përdorur nga vëzhguesit nuk është veçori ekskluzive e së djathtës ekstreme. Trampi e shpreh haptazi armiqësinë e Amerikës ndaj muslimanëve në një mënyrë që asnjë politikan i zakonshëm europian nuk guxon ta bëjë. Qëndrimet e Trampit mund të ekspozohen, por ato Evropës janë miratuar shumë më fshehtazi – dhe fokusi aktual te Trampi do të thotë se atyre u lejohet të vazhdojnë të pakontrolluar.

Për shembull, liberalët u shokuan kur Trampi, duke deklaruar ndalimin e tij të udhëtimit, deklaroi se të krishterët nga Siria do të pranoheshin në SHBA, por muslimanët jo. Megjithatë, BE shfaqi prioritete të ngjashme kur ra dakord t’i jepte Gjeorgjisë qasje pa viza në zonën Shengen, brenda së cilës shtetasit e BE-së mund të lëvizin pa pasaportë. Duke i bërë jehonë Trampit, nënkryetari i Parlamentit Evropian argumentoi se Gjeorgjia është një vend i krishterë dhe zemra e Evropës – vërejtje që do të ishin përballur me mosbesim jo vetëm nga refugjatët por edhe nga qytetarët e Kosovës. Ky vend është shumë më afër zemrës së Evropës sesa Gjeorgjia, por ka një popullsi kryesisht muslimane dhe përpjekjet e tij për t’u bashkuar me BE-në janë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Trampi e justifikon masën e tij duke pikturuar një fotografi të një Evrope të mbingarkuar me refugjatë muslimanë, që përdhunojnë gratë e bardha dhe kryejnë veprime terroriste. Megjithatë, Evropa e ka shkuar librin mbi demonizimin e refugjatëve muslimanë. Javën e shkuar, gazeta më e madhe e Gjermanisë, Bild, kërkoi falje për raportet e rreme që refugjatët kishin dhunuar gratë gjermane në Frankfurt; shtypi i djathtë britanik rrit frikën prej refugjatëve në baza ditore. Ne na thuhet se Trampi është unik në retorikën e tij anti-muslimane. Në fakt, qëndrimet drakoniane të Evropës ndaj refugjatëve dhe muslimanëve kanë ndihmuar në legjitimimin e qasjes së tij. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne