Facebook i bindet presionit izraelit, thotë se gazetaria palestineze është e mbushur me gjuhën e urrejtjes

nga Ali Abunimah.

Facebook po mbron vendimin e tij për mbylljen e një faqeje të madhe palestineze lajmesh, duke e përshkruar veprimin si një masë kundër “gjuhës së urrejtjes”.

Të shtunën, gjiganti i medias sociale mbylli pa paralajmërim faqen Safa të Agjencisë së Shtypit Palestinez, si dhe llogarinë Safa në Instagram, e cila kishte 1.3 milionë ndjekës.

Të martën, Organizata e Mediave Palestineze e dënoi sulmin e Facebookut ndaj fjales e lirë të gazetarëve palestinezë, duke e quajtur atë “nënshtrim të qartë ndaj politikave dhe diktateve të Izraelit i cili po i përndjek dhe po i dënon me burgim aktivistët palestinezë në bazë të pikëpamjeve të tyre politike dhe pozitave intelektuale”.

Facebooku po mundohet ta justifikoje mbylljen e llogarisë së Safas. “Kjo faqe është hequr në mënyrë të drejtë për shkelje të standardeve tona të komunitetit”, shkroi të hënën në mbrëmje në emailin e dërguar për electronicintifada një zëdhënës i kompanisë. “Nuk ka vend për gjuhën e urrejtjes ose për nxitje të dhunës në platformën tonë”.

Zëdhënësi nuk dha prova për të mbështetur akuzat e kompanisë ndaj Safas, por pohoi se: “Ne kujdesemi për zërat, mendimet dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve të ndryshme në Facebook; megjithatë, prioriteti ynë është ruajtja e komunitetit tonë”.

Duke iu referuar “gjuhës së urrejtjes” dhe “nxitjes së urrejtjes” si justifikim për të heshtur gazetarët, Facebook ka miratuar kornizën e Izraelit, i cili në mënyrë rutinore përdor terma të tilla të paqarta për të përshkruar pothuajse të gjitha kritikat ndaj okupimit ushtarak të Palestines ose ideologjisë shtetërore sioniste.

Kompania nuk iu përgjigj pyetjes se kur e kishte ndërmarrë veprimin kundër Safas bazuar në kërkesën nga Izraeli.

Glenn Greenwald i faqes The Intercept e ka shkruar dhe ka folur më parë rreth marrëveshjes së Facebookut me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për të heshtur zërat që nuk u pëlqejnë.

“Facebook ka demonstruar në mënyrë të përsëritur vullnetin e tij, ndonjëherë edhe të pakufizuar për të favorizuar qeveritë e fuqishme duke fshirë përmbajtjet që nuk u pëlqejnë atyre”, tha Greenwald të martën për electronicintifada.

Një prej vendeve ndaj të cilëve Facebook ka treguar nënshtrim, është qeveria izraelite. Si rezultat, ai është angazhuar në një censurë njëvjeçare kundër palestinezëve, krimi i vetëm i të cilëve është se ata shprehin pikëpamjet dhe angazhohen në aktivitetin e tyre, gjë e cila nuk u pëlqen zyrtarëve izraelitë.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, goditja më e fundit e Facebookut ndaj gazetarëve dhe aktivistëve palestinezë filloi disa javë më parë, kohë kur forcat okupuese izraelite ekzekutuan pa gjyq Ahmad Nasser Jarrarin, një person që Izraeli pretendonte se ishte përfshirë në vrasjen e një koloni izraelit në fillim të janarit.

Ligjvënësit izraelitë gjithashtu kanë diskutuar edhe se si të godasin dhe bllokojnë informacionet në internet, duke përfshirë edhe heqjen e imazheve të Jarrarit nga Facebooku.

Haaretz thotë se që nga fillimi i vitit, duke cituar një aktivist palestinez pa emër që mbikqyr çështjen, rreth 500 faqe në Facebook të aktivistëve palestinezë dhe gazetarëve janë mbyllur nga kompania.

Mbulim i gjerë

Sipas Haaretz, Safa ka funksionuar për një dekadë si një homologe e Wafas, agjencia zyrtare palestineze e lajmeve që kontrollohet nga Autoriteti Palestinez dhe fraksioni Fatah i udhëhequr nga Mahmoud Abbas.

Faqja Safa ka treguar se raportimet e saj kanë qenë të një game të gjerë. Ajo ka raportuar dhunën e forcat okupuese izraelite kundër palestinezëve, ka raportuar politikat lokale, rajonale dhe ndërkombëtare si dhe ngjarjet e ndryshme individuale.

Safa raporton mbi aktivitetet e të gjitha fraksioneve politike. Për shembull, të martën, një nga lajmet e saj kryesore ishte për një takim të kabinetit të drejtuar nga Rami Hamdallahu, kryeministri i Autoritetit Palesinez (PA), në të cilin Hamdallahu pohoi se qeveria e tij nuk do ti braktiste njerëzit në Gaza.

Hamasi dhe PA mbeten rivalë për drejtimin e Gazës

Raportimet e saj përfshijnë edhe pretendimet e PA-së për arritjet e përpjekjeve të saj në Gaza, të tilla si mbledhja e donatorëve të 55 vendeve në një konferencë javën e kaluar për të financuar një fabrikë uji me vlerë 565 milion dollarë për territorin bregdetar të bllokuar nga Izraeli.

Një tjetër lajm i të martës fliste për një deklaratë të zëdhënësit zyrtar të Abbasit që e përshkruante vendimin e fundit të SHBA-së për të ulur ndihmën ndaj PA-së si një luftë ndaj popullit palestinez.

Bindje ndaj censurës

Palestinezët e përdorin shumë Facebookun dhe shpesh ai për ta është burimi kryesor i informacionit rreth asaj që po ndodh në komunitetet e tyre.

Por mediat sociale e kanë bërë të vështirë censurën izraelite për të kontrolluar informacionin që shkon dhe vjen tek palestinezët nën sundimin e tyre ushtarak.

Javën e kaluar, një gjykatë ushtarake izraelite dënoi adoleshenten palestineze Ahed Tamimi me tetë muaj burg për shpullen që i dha e një ushtarit izraelit në Bregun Perëndimor.

Ajo gjithashtu dënoi edhe nënën e saj Narimanin për filmimin e incidentit dhe transmetimin e tij në Facebook.

Persekutimi izraelit ndaj familjes Tamimi është bërë një pikë referimi për solidaritetin ndërkombëtar për Plestinën.

Por tani për tani, Izraeli duket se ka zgjidhur problemin e tij me Facebookun duke e nënshtruar kompaninë që ti bindet urdhrave të tij.

Sipas Glenn Greenwaldit, “Facebook i ka dhënë zyrtarëve izraelitë mundësinë që të kontrollojnë përmbajtjen e tij duke iu bindur diktatit te censurës së tyre në pothuajse të gjitha rastet”./electronicintifada/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne