Familja, kjo strehë e çmueshme që po rrezikon shembjen

Shkruan: Mr. Driton Arifi

Zhvillimi i shpejt dhe i vrullshëm i civilizimit modern me gjithë favoret dhe privilegjet që sot i ofron shoqërisë bashkëkohore, duket se e ka edhe faturën dhe koston e vet që dikush duhet ta paguajë, ndonëse kostoja e kësaj fature ndoshta nuk iu vie për qejfi as atyre që me entuziazëm e kanë përqafuar çdo produkt të këtij civilizimi modern. S’ka mbetur më kurrfarë dileme, që njëra prej çmimeve më të dhimbshme që shoqëria moderne është e detyruar të paguajë, me ose pa dëshirën e saj, karshi këtyre favoreve e lehtësimeve nga arritjet civilizuese, është edhe rrezikimi i celulës themelore të shoqërisë- familjes.

Në përpjekje për hasur ndojë përkufizim-definicion më përmbledhës për familjen, pothuajse nuk gjen asnjë që e definon familjen e që martesën të mos e konsiderojë një hap esencial e pararendës që të shpie deri te formimi i saj.

Bogardus e definonte familjen si:”një grupim i vogël shoqëror që rëndom përbëhet nga babai, nëna dhe një ose më shumë fëmijë, të cilët në mes vete shkëmbejnë dashurinë dhe ndajnë bashkërisht përgjegjësitë“. Që të gjitha këto definicione, e prej tyre edhe ky i lartëshënuari, sikur na përqojnë një mesazh unik, e që është se: s’ka familje pa prindër, e s’ka prindër të mirëfilltë nëse s’ka martesë.

Megjithatë, përderisa ne e shohim familjen si një dhunti të pazavendësueshme, që duhet investuar tërë jetën për ta ruajtur e mbrojtur atë nga shembja e mundshme, në anën tjetër e vërejmë se disa nga propaganduesit e zëshëm të civilizimit modern, e shohin atë si ” diç shumë të papërshtatshme për epokën demokratike, apo për vlerat e saja të palëkundura” siç vënte në pah Robert Nisbet. Në analiza të shumë prej sociologëve objektivë evropianë thuhet se ” familja në shoqërinë perëndimore është vatër e shqetësimit dhe e mërzisë“(A. Bulac). E ndoshta të atillë që e mendojnë familjen si pengesë për zhvillim, avancim e karrierë, duket se edhe nëse s’ka shumë të zëshëm në shoqërinë tonë, megjithatë në praktikë ka majft të tillë. Kategorinë e këtyre njerëzve kur e pyet për arsyet pse ata s’kanë vendosur për martesë, ose që të formojnë familje, ata listojnë një mori arsyesh, duke filluar nga kushtet ekonomike, deri tek ato që kanë të bëjnë me karrierën, famën e shijimin e jetës së shthurur larg përkufizimeve dhe ngarkesave familjare.

Vonesa në martesë, ose anulimi i saj në tërësi, nga meshkujt edhe femrat, pa dallim, pastaj hulumtimi për rrugë tjera altenative, në përpjekje për të mbushur zbrazëtirën që e ka familja në jetën e njeriut, përbën vetëm njëren prej sfidave më serioze që jetësisht po e rrezikon familjen.

Disa prej “mendjendriturëve dhe të famshmëve” të shoqërisë sonë, kanë zgjedhur që në vend të lidhjes martesore dhe të formimit të familjes së mirëfilltë, të krijojnë lidhje të bashkëjetesës, dhe rrjedhimisht atë po e shohin si strehë zavendësuese të familjes, ëmbëlsinë dhe prehjen e së cilës nuk e shihjuan asnjëherë.

Në konceptin fetar islam, martesa shihet si celulë e pazavendësueshme e shoqërisë dhe rruga e vetme që garanton ruajtjen e llojit njerëzor. Pos tjerash, ajo cilësohet si mundësi “ e gjetjes së prehjes, qetësisë, dhe mbjelljes së mëshirës e dashurisë, madje në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. Er Rrum, 21.

Nëse sot ekzistojnë kategori njerëzish që kanë vendosur të bashkëjetojnë, por me këmbëngulje që t’i shmangen martesës, pastaj të tjerë që zgjedhin të krijojnë lidhje me dikë të gjinisë së njejtë (shembulli i LGBT-isë si komuniteti më i zëshëm sot në shoqëri e që janë kërkim të zëshëm të “të drejtave” të tyre), atëherë kemi arsye që të shqetësohemi, dhe qajmë hallin e kësaj shoqërie. Shtuar kësaj faktin se divorci në vitet e fundit është në rritje të vazhdueshme. Sipas statistikave të fundit në Kosovë, çdo i 10-ti çift martesor bënë divorc, në Shqipëri është edhe më e lartë përqindja, ngase atje diku 37% e çifteve martesore janë shkurorëzuar. Në nivel ndërkombëtar statistikat janë edhe më shqetësuese, duke filluar tek SHBA-të që 53% e çifteve atje shkurorëzohen, për të përfunduar me Belgjikën ku shënohet përqindja më e lartë në nivel botëror, ngase atje 71% e çifteve bëjnë divorc.

Si mund të rrezikohet familja ndryshe, nëse sot kemi shumë që zgjedhin të mos martohen fare, pastaj të tjerë që krijojnë lidhje të të njejtës gjini, të cilën lidhje mund ta quash sidoqoftë ndryshe, por asnjëherë dhe kurrë nuk mund ta quash familje. Sikundërqë ka edhe të tjerë të cilët edhe pas martesës, sikur të ishin të përndjekur apo nën trysni, shpejt bëjnë divorc dhe kështu përmbysin familjen që edhe ashtu mezi e patën krijuar. Atëherë të gjitha këto fakte e kanë një emërues të përbashkët, e i cili është: rrezikimi dhe sfidimi i familjes, si celulë themelore e shoqërisë bashkëkohore.

Këto statistika dhe rritjen e tyre rapide, dikush i sheh me entuziazëm dhe iu duartroket me zell, sepse vetëm të tillat tregojnë për përqafimin e qytetërimit modern, sipas tyre, meqë “shuarja e familjes është rruga e vetme që shpie kah civilizimi i vërtetë“(Engelsi). Ne nuk mund ta dijmë saktësisht, nëse bota sot po i konsideron fatkeqe dhe ogurzeza (deklarativisht) projektet dhe filozofitë e Marksit e Engelsit, e edhe të apostujve të tyre gjithandej kah ata veprojnë nëpër botë, mirëpo në realitetin faktik, pjesa më e “civilizuar” e botës, gogja me përpikmëri po i aplikon filozofitë e tyre në jetën shoqërore e familjare.

Sa për “kënaqësinë” e sfiduesëve të familjës, dhe armiqëve të saj, duhet bërë me dije se shumica e krimeve që kryhen, (me konstatimin e të gjitha raporteve të sigurisë) qoftë në perëndim qoftë në lindje, bëhen nga ata njerëz që jetojnë të vetmuar nëpër banesat e tyre,por që nuk kanë krijuar familje, ose që kishin familje por janë ndarë prej tyre. Kështuqë duhet të jemi të kjartë e të dijmë se krimi paska edhe një derë, nepërmes së cilës duhet të kalojë gjithsesi, e ajo është shkatërrimi i familjes. Kjo i bie që shkatërrimi i familjes është hiç më pask se një mundësi shtesë për rritje të nivelit të pasigurisë dhe të zhvillimit të kriminalitetit në çdo vend. Prandaj, duhet qenë të bindur se atë prehjen dhe qetësinë shpirtërore që Krijuesi e rezervoi vëtëm për ata që krijuan familje, të tillët, ndoshta edhe mund të zhyten në ujërat e turbullta të kriminalitetit, porse kjo do të mbetet gjithnjë si rast i izoluar e dhe gjithsesi i rrallë.

Familja do të mbetet institucioni kyq dhe themelor në formimin e personalitetit të fëmiut që i ofron atij prehjen e pazavendësueshme në fazën më vitale të jetës së tij, andaj nëse jo për dikë tjetër, së paku për hir të fëmijëve-ardhmërisë sonë, ta ruajmë këtë institucion kaq me vlerë që e kemi të mishëruar në shpirtin tonë, edhe si shqiptarë edhe si myslimanë./ kpost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne