Feja që promovon homoseksualizmin po predikohet në shkolla

Nga Fitim Zekthi

Qeveria e sotme shqiptare, pavarësisht se është e dhënë fuqimisht pas koncesioneve ndaj privatëve, investimeve mes bashkëpunimit privat-publik, pas lidhjeve të forta me biznesmenë që janë klientë të saj (ose ajo është kliente e tyre), pavarësisht se nuk ka ndonjë sjellje dashamirëse me punëtorët apo sindikatat, pavarësisht se nuk ka marrë asnjë masë lehtësuese për bizneset e vogla familjare, pra pavarësish një qasjeje në dukje neoliberale është një nga qeveritë më të majta në botë. Është një nga qeveritë më të majta në botë në radhë të parë në atë që përbën tiparin themelor mbi të cilin dallohet një individ, një subjekt apo një shoqëri: moralin. Qeveria e sotme shqiptare po përpiqet me forcë që të promovojë homoseksualitetin, që shqiptarët të mendojnë mbi homosekslualitetin në terma të agjendës gay. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka lejuar që në shkollat e mesme të Tiranës por edhe të qyteteve të tjera të zhvillohen leksione ose orë mësimi ku aktivistë të homoseksualizmit iu flasin nxënësve mbi të mirat e të qenit gay apo lesbike, mbi faktin që ajo është një sjellje seksuale e natyrshme dhe e drejtë etj. Arsyetimi zyrtar është lufta ndaj paragjykimit apo diskriminimit. Dihet që agjenda gay është një agjendë politike e cila i kthen në objekte homoseksualët, i përdor ata duke i fyer dhe duke ua nxjerrë në sheshin publik një gjë intime se seksi dhe duke u thënë njerëzve që të jesh gay është një gjë e mirë, e shëndetshme dhe e virtytshme. Kjo mizori e agjendës nuk i trajton homoseksualët si njerëz që meritojnë respekt, që kanë dinjitet, që nuk duhet të përdoren rrugëve, shkollave, paradave etj. Qeveria shqiptare ka zgjedhur pra të promovojë këtë qasje mbi moralin. Në radhë të parë duhet thënë se detyra e qeverisë nuk është që të edukojë, predikojë moral dhe aq më keq imponojë moral. E majta, komunistët gjithnjë kanë dashur të promovojnë një moral të tyrin dhe qeveria jonë në këtë rrugë duket se është. Cila kulturë, cili këndvështrim, cilat themele kanë bërë që homoseksualiteti të shihet si i mirë, si i drejtë, si i shëndetshëm dhe si i virtytshëm.

Si kemi arritur ne si kulturë kaq pranë braktisjes së konsensusit kohë gjatë mbi normat seksuale që shkurajojnë homoseksualitetin? Sigurisht, ky ndryshim në qëndrim, që përpiqet ta shtyjë përpara edhe qeveria shqiptare, ndaj homoseksualitetit është thjesht një pjesë e një ndryshimi më të gjerë në lidhje me seksualitetin dhe familjen si të tërë. Ky ndryshim ka nisur me dekada dhe ka të bëjë me përpjekjen për të zëvendësuar fetë tradicionale (krishtërimin, judaizmin dhe islamin) dhe moralin e tyre me një fe të re dhe sigurisht me një moral të ri.

Parimet e kësaj feje të re po përpiqen të dominojnë me shpejtësi moralitetin tonë publik. Por vetë feja nuk është e re në të vërtetë, as është e tillë doktrina e saj teologjike. Kjo fe është thjesht rilindja e paganizmit dhe parimet e tij janë gnosticizmi, thotë Jeffrey Satinover i universitetit të Yale-it. Rilindja e paganizmit nuk është thjesht kufizim i fesë dhe as thjesht feja e humanizmit, ndonëse humanizmi është një aspekt i dukshëm dhe i famshëm i saj. Në dallim nga fetë tradicionale paganizmi ka një koncept shumë të kufizuar ose të paqenë mbi të keqen. Atij i mungon një mënyrë për të dalluar midis vullnetit dhe asaj që bëhet nga detyrimi, midis qëllimshmërisë së vetëdijshme dhe shtysës instiktive të pavetëdijshme, thotë Sotinover. Në të kundërt, një parim themelor i feve tradicionale për mijëra vite ka qenë se mëkati është shpjegimi qendror për vuajtjet njerëzore. Në këtë pikëpamje nevoja absolute për Zotin duket qartë. Ndërsa shpjegimi pagan për vuajtjet njerëzore gjendet te materialja dhe kësisoj është shumë e vështirë të themelosh kufij në të cilët vepron njeriu. Shoqëria pagane është polivalente. Asnjë moral i vetëm standard nuk qeveris jetët e njerëzve. Vetëm pushteti i forcës është superior mbi të gjitha, jo perëndia, jo një bashkësi e caktuar vlerash njerëzore. Duke qenë kështu atëherë standarde të ndryshme për grupe të ndryshme çojnë pashmangshëm në gara të fragmentuara dhe me kalimin e kohës vullneti për pushtet bëhet rregulli i vetëm. Fuqia përcakton të drejtën dhe shumë shpejt zhbën sundimin e ligjit; Zeusi sundon sepse ai është më i fuqishmi, për asnjë arsye tjetër shprehet filozofi C. S. Lewis. Zeusi sigurisht nuk është më i dituri; dhe as që ka një koncept mbi të ndershmen. Teologjia e paganizmit thotë se shoqëria pagane është panteiste ose animiste. Zotat dhe perënditë banojnë në botën natyrore dhe janë një me të; vetë natyra adhurohet si hyjnore. Kjo do të thotë se njerëzit adhurojnë jo vetëm natyrën “jashtë” por edhe natyrën e tyre “brenda” – instinktet e tyre, të ngrënit, seksin dhe agresionin, në mënyrë të përgjithshme, kënaqësinë. Shkurt, ata adhurojnë veten. Kështu duke spiritualizuar instinktet, adhurimi pagan priret natyrshëm tek e dhunshmja, hedonistja dhe orgjiastikja. Pagania e merr çfarë gjendet brenda natyrës njerëzore si masë të asaj çfarë është e mirë dhe çfarë e bën atë një “hyjni” apo të shenjtë; njeriu si masë e të gjitha gjërave.

Është pikërisht kjo ajo që është në themel të moralit të agjendës së promovimit të homoseksualizmit. Homoseksualiteti është një sjellje njerëzore, një nga shumë llojet e sjelljeve. Është një sjellje shkatërrimtare për njeriun, siç mund të ishte agresiviteti vrapimi pas orgjive, por që adhurimi i natyrës, i epshit, i instinktit, i hedonistes përpiqet ta shenjtërojë. Ajo që bën ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, qeveria shqiptare duke dërguar njerëz të agjendës që të shkojnë në shkolla dhe t’iu flasin nxënësve për të mirat e të qenit gay është pikërisht promovim i këtij morali dhe i kësaj feje. Ministra apo qeveria mund të kenë zgjedhur për fe paganizmin dhe kjo është e drejtë e tyre por ata nuk kanë asnjë të drejtë t’iu flasin nxënësve dhe shqiptarëve për këtë fe dhe për asnjë fe tjetër. Në fund të fundit ne jemi një vend laik./mapo

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne