“Fëmijët kërkojnë të hanë, unë i gënjej që të harrojnë” (Video)

“Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” janë ndalur në Fier në misionin e tyre humanitar, në familjen e Migena Buzarakaj.

Ajo jeton me 4 fëmijët e saj nga 4 deri në 8 vjeç, në një dhomë të vetme me lagështirë, në fshatin Kashisht, liruar nga një i afërm. Bashkëshorti i Migenës ka ndërruar jetë nga kanceri 3 muaj më parë dhe në këto kushte mbijetesa e familjes është bërë tejet e vështirë. “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” i bëjnë thirrje solidaritetit njerëzor, të ndihmojnë me shtëpi të re Migena Buzarakajn dhe fëmijët e saj.

“Kur bëj detyrat kam shumë ftohtë. Do doja të kisha një shtëpi”, thotë mes lotësh djali i mitur i Migenës.

Ndërsa vetë e veja, nënë e 4 fëmijëve, shpjegon jetën tepër të vështirë për t’iu siguruar mbijetesën fëmijëve të saj.

“Tani jam vetëm unë dhe katër fëmijët e mi, sepse burri po bën tre muaj që ka vdekur nga një sëmundje e keqe. Është shumë e vështirë. Nuk kam as shtëpi as asnjë gjë. Të rrish tek shtëpia e tjetrit është shumë e vështirë, por kur s’ke ku të fusësh kokën, kur s’ke ku të çosh fëmijët… Sikur të kisha një dhomë ku të fus kokën, sepse fëmijët i kam të sëmurë nga laringu. I bej aparatin në mëngjes dhe në darkë. Ngela dyerve të spitaleve, para një jave e kisha gocën e shtruar me ftohje.

Dritares i kemi vënë plasmas sepse futet shiu brenda. Plasmasi bën zhurmë dhe këta tremben, por i gënjej ashtu siç di vetë. Ça do bëj? Do bëhem e fortë. Për momentin ne nuk kemi asnjë gjë për të ngrënë. (Fëmijët) kërkojnë të hanë. U them do të të bëjë mami më vonë, dale se mami ka këtë punën në dorë… i gënjej që të harrojnë. Se kur s’kam, ça do t’u jap, ky ishte fati jonë.”

Drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra, u bëri thirrje të gjithë bizneseve dhe atyre që kanë mundësi të ndihmojnë. “Afrohuni të ndihmoni! Jemi shumë afër për t’i siguruar një shtëpi të re në qytetin e Fierit. Kemi nevojë për kontributet, ndihmën tuaj, kudo ku ndodheni.”

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=aIgHxgYKLKc?wmode=transparent&rel=0&feature=oembed]

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne