“Fëmijët refugjatë në Ballkan nën kthetrat e pasigurisë”

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), ka njoftuar se fëmijët refugjatë të cilët kanë mbetur të bllokuar ende në vendet si Greqia, Bullgaria, Hungari dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë ndodhen nën kërcënimin e problemeve psikologjike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të publikuar nga UNICEF theksohet se në vendet në fjalë ndodhen rreth 75 mijë refugjatë nga të cilët 24.600 fëmijë dhe se procedurat e këtyre personave po vazhdojnë shumë ngadalë.

Ndër të tjera në deklaratën ku theksohet se “kanë lënë në harresë” paqartësitë për këto familje dhe fëmijë, të tilla si nëse do të vazhdojnë drejt Evropës, nëse do të takohen apo jo me pjesën tjetër të familjes dhe se kur do të përfundojnë procedurat, thuhet se kjo do të ketë ndikime negative mbi fëmijët.

Gjithashtu në deklaratë paralajmërohet se kjo paqartësi dhe qëndrimi larg nga disa anëtarë të familjes do të shkaktojë stres dhe çrregullime shqetësuese tek fëmijët, gjë e cila do të kërkojë një kohë të gjatë për tu trajtuar.

Ndër të tjera në deklaratën ku vihet theksi se edhe bashkimi me anëtarët e tjerë të familjes në vende të ndryshme ka marrë një kohë të gjatë, thuhet se ky proces mund të vazhdojë nga 10 muaj deri në 2 vite.

UNICEF duke bërë të ditur se fëmijët duhet të jenë bashkë me prindërit e tyre, ka kërkuar nga vendet e rajonit që të përshpejtojnë procedurat dhe të lehtësojnë procesin për bashkimet familjare.

Qindra mijëra refugjatë që kanë braktisur vendet e tyre për shkak të problemeve ekonomike dhe konflikteve kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, përpiqen të mbërrijnë në Evropë përmes Mesdheut lindor dhe vendeve të Ballkanit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne