Librat e përkthyer të marrë nga Anglia, përveçse nuk i përshtaten sistemit tonë shkollor, ata përmbajnë edhe gabime.

Në fletoren e punës që shoqëron librin e matematikës së klasës së parë, të shtypshkronjës Mediaprint, në faqën 34, jepet një ushtrim i pakuptimtë.

Në figurë tregohen disa tollumbace dhe fëmija duhet t’i ngjyrosë. Kërkesa thotë: Tollumbacen e pestë ngjyrose me të verdhë. Por tollumbacen midis së katërtës dhe së gjashtës, ngjyrose me rozë.

Ky është një ushtrim pa kuptim dhe çorjentues.

Ndërkohë, gabime të tjera vijnë nga përkthimi i keq. Teksti ka kuptim kur është në anglisht, por jo kur është i përkthyer në shqip.“Përkthimi i një poezie të marrë nga tekstet italiane, është nga më të dëgjuarat në Itali, por i përkthyer me titullin “Në treg”, është më skandaloz”, tha mësuesi Ruzhdi Begaj.

Kjo vjershë ndodhet në librin e gjuhës shqipe për klasat e dyta, të shtëpisë botuese Albas. Ajo është një kryevepër në origjinale e shkruar nga poeti me famë europiane Roberto Piumini. Por përkthimi në shqip, lë për të dëshiruar.

“Po të shikosh këtu nëpër libra thotë, më thuaj një vjershë për pjesët e trupit tënd. Ça vjershe për trupin mund të thotë një fëmijë kur aty tregohen edhe vithet. A ka vjershë për vithet?”, shprehet Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit.

Por, në libra prindërit kanë vënë re edhe probleme më shqetësuese se këto. Bardha, mamaja e një vajze në klasën e dytë, shprehet mjaft e shqetësuar për faktin se në tregimet që vajza e saj duhet të lexojë mësohen stereotipe.

“Pra, në një tregim kemi dy stereotipe: Vajza më e shkathët e klasës, djali më i praptë i klasës”, tregon Bardha Qokaj.

35