Fermerët e Lushnjes sërish në protestë, derdhin qumështin në rrugë: Mashtrues, na zhytët në borxhe

Fermerët e Lushnjes dhe Rrogozhinës protestuan sërish sot, duke kundërshtuar heqjen e subvencionimit të TVSH për prodhuesit e qumështit.

Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në rrugë, ndërkohe që kërkuan tërheqjen e këtij vendimi nga qeveria.

Protestuesit kanë bllokuar aksin kryesor rrugor dhe po lëshojnë thirrjet “mashtrues, mashtrues”.

Ata mbajnë në duar pankarta me shkrimet “nafta e traktorit tim e ka çmimin njësoj si nafta e benzit tënd”, “Ulje me 14 % të çmimit për fermerin” si dhe “Subvencionet në bujqësi në 2018 20 milionë euro, në 2019 vetëm 4 milionë euro”.

“Hodha 1 milionë lek dhe ata më kthyen vetëm 500 mijë lek, duhet të merrja 6 milionë lekë, unë u futa dhe në borxhe. Kemi marrë tokat me qira.” shprehet një nga protestuesit.

Të tjerë thonë që janë detyruar të marrin kredi sepse ishin premtuar që do subvencionoheshin nga qeveria.

Ndërkohë fermerët e Shkodrës që ishin nisur me autobus dhe që do i bashkoheshin protestës së fermerëve në Lushnje duke e bërë kështu protestën mbarëkombëtare, janë ndaluar dhe shoqëruar në komisariat nga Policia e Lushnjes.

Atyre u është bërë presion për të mos marrë pjesë në këtë protestë.

Është paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare duke kërkuar mbështetje nga shteti, kushte më të mira dhe treg për prodhimet e tyre.

Kjo protestë ka nisur prej tre javësh nga fermerët e Lushnjes, Beratit dhe Fierit dhe ata kërkojnë të mos i ulet subvencioni me 14 %.

Në të gjitha protestat që fermerët kanë zhvilluar, ata kanë derdhur në rrugë mënyrë demonstrative prodhimet e bagëtive të tyre./Fax News

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne