Fermerët korçarë: Moti i keq na shkatërroi të mbjellat, ku të vemi tani

Moti i keq dhe temperaturat e ulëta kanë dëmtuar masivisht prodhimet bujqësore në disa zona të Korçës.

Në fshatin Dvoran, dhjetëra familje fermere nuk do të marrin prodhim këtë vit si pasojë e dëmtimit të pemëtarisë kryesisht qershi dhe mollë.

Sipas tyre, këto kultura janë dëmtuar në masën 50 % për mollën dhe 80% për qershinë. Sipas fermerëve, dëmi i shkaktuar përkthehet në miliona lekë kosto për ta. Ato tregojnë se asnjë prej parcelave të cilat kishin nisur lulëzimin, nuk ka shpëtuar e padëmtuar duke bërë që prodhimi i tyre, këtë vit jo vetëm të jetë i pakët dhe i dëmtuar por t’u rrezikojë falimentimin, ndërsa shprehen se askush nuk ka shkuar të shohë situatën e tyre

“Ne kërkojmë nga qeveria të vijnë, të bëjnë një verifikim të të gjithë dëmeve që janë bërë dhe nëse merren masa, të mos vijë askush të kërkojë votat”

“Këtu tek neve është bërë batërdia, qeveria duhet të marrë masa, jemi bërë për të lidhur kokën me shami, unë kam shpenzuar 3 mln deri më tani. Ku të vete unë?”

“Kjo është një katastrofë natyrore, nuk jemi vetëm ne, por janë që nga Drithasi, vinin 200 punëtorë që mblidhnin qershia, molla përditë. Ne sot jemi të pezulluar komplet”

“Nëse ky nuk merr lekë që të më paguajë mua, unë ku do të punojë, ku do të ha? , shprehen fermerët.

Nga ana tjetër drejtori i drejtorisë të bujqësisë Vullnet Gjolla pohon se me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti së shpejti do të nisin fazën e inspektimeve në terren për të verifikuar dëmin dhe do të përgatiten raportet përkatëse për t’ia referuar rastet ministrisë së bujqësisë.

Pasi vit pas viti për shkak të mungesës së tregut këta fermerë kanë pësuar humbje, ky vit e ka rënduar edhe më tepër situatën sepse prodhimi i tyre ka arritur nivelin minimal si pasojë e faktorëve atmosferikë. /Shqiptarja.com.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne