FETO, MEK dhe DAESH: Shqipëria ka standarte të dyfishta në luftën kundër terrorizmit

nga Olsi Jazexhi

Në 7 nëntor 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri ndryshoi masën e ndalimit ndaj dy besimtarëve myslimanë shqiptarë, nga burgim në arrest shtëpiak. Të burgosurit, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, të cilët janë besimtarë selefij, u arrestuan në nëntor 2016 nga njësite shqiptare të antiterrorit me dyshimin se po planifikonin një sulm kundër ekipit të futbollit të Izraelit i cili kishte ne plan të luante me ekipin kombëtar të Shqipërisë më 12 nëntor 2016.

Këta besimtarë selefij ishin dy nga ata 150 besimtarë myslimanë, të cilët policia shqiptare arrestoi në nëntor 2016, kur ekipi i Izraelit erdhi në Shqipëri. Autoritetet shqiptare, të cilët i shohin myslimanët me dyshim, burgosën masivisht besimtarët dhe mbyllën kufijtë me Kosovën dhe Maqedoninë në mënyrë që asnjë tifoz musliman shqiptar të mos udhëtonte për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit midis Shqipërisë dhe Izraelit dhe brohoritur sllogane anti-izraelite dhe pro-palestineze gjatë ndeshjes.

Megjithatë, nga 150 personat që u ndaluan, katër u veçuan si të dyshuar për terrorizëm dhe u akuzuan për komplot për të sulmuar ekipin e Izraelit. Ky operacion “kundër terrorizmit” u koordinua me policinë kosovare, e cila arrestoi nga ana tjetër edhe 19 besimtarë muslimanë nën justifikimin e komplotit për të sulmuar izraelitët. Sot një vit më vonë, Gjykata e Krimeve të Rënda e Shqipërisë nuk ka mundur të gjejë asnjë dëshmi inkriminuese kundër të arrestuarëve dhe për këtë arsye është detyruar ti lirojë nga burgu dhe t’i vendosi besimtarët në arrest shtëpiak.

Ndalimi nga autoritetet shqiptare i katër besimtarëve myslimanë shqiptarë në vitin 2016 duket se është bërë në bazë të pretendimeve të rreme të mediave izraelite, pasi ende sot, një vit më vonë, asnjë provë nuk është dëshmuar kundër të burgosurve.

 

Që prej vitit 2014, qeveria shqiptare ka qenë shumë agresive në arrestimin e muslimanëve sunitë, mbikëqyrjen e xhamive dhe organizatave të tyre të shoqërisë civile. Këto sulme kundër fesë Islame janë bërë si pjesë e politikave të saj për të “luftuar terrorizmin” apo me thjeshtë, për ti bërë qejfin sundimtarëve tanë amerikanë. Me presion nga administrata amerikane dhe ambasada e SHBA-së në Tiranë, qeveria shqiptare ka ndryshuar shumë nga ligjet e saj, ka arrestuar dhe burgosur dhjetëra besimtarë dhe imamë që simpatizonin xhihadin sirian, ka konfiskuar prona që i përkisnin të dyshuarve si terroristë dhe me ndihmën e administratës amerikane ka ushtruar presion mbi muslimanët e Shqipërisë duke spiunuar besimtarët dhe imamët të cilët janë parë si mbështetës të mundshëm të terrorizmit të ISIS-it apo Daesh-it.

Në luftën e saj kundër terrorizmit qeveria shqiptare është ndihmuar shumë nga Turqia e cila ka ekstraduar të dyshuarit si xhihadistë në Shqipëri kur qeveria ka kërkuar ekstradimin e tyre.

Megjithëse qeveria shqiptare ka qenë më shumë se e zellshme për të kënaqur amerikanët gjatë luftës së tyre kundër terrorizmit dhe duke sakrifikuar si koka turku besimtarët selefij në Shqipëri, ajo nuk ka treguar të njëjtin zell për të luftuar organizatat e tjera terroriste që aktualisht funksionojnë ose kanë të fshehur anëtarët e tyre në vend.

Dy qeveri të huaja kanë akuzuar Shqipërinë se strehon organizata terroriste në vendin tonë. E para është Turqia e cila i ka kërkuar Shqipërisë që të arrestojë anëtarët e FETO-s (Organizata Terroriste e Fetullahut) dhe të mbyllë organizatat e tyre në vend. E dyta është Irani i cili ka kërkuar që Shqipëria të mos presë dhe të paktën të frenojë aktivitetet e MEK-ut apo organizatës Moxhahedin-e Khalq, një organizatë terroriste iraniane e cila kërkon përmbysjen e dhunshme të qeverisë aktuale të Iranit.

FETO dhe MEK janë organizata terroriste po aq sa është edhe DAESH-i apo ISIS-i. Këto organizata terroriste përpiqen të përmbysin me luftë, dhunë dhe terror qeveritë e Turqisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenet 231 dhe 265 dënon pjesëmarrjen, nxitjen, rekrutimin, organizimin, udhëheqjen dhe trajnimin në terrorizëm si edhe thirrjet për përmbysjen e regjimeve në vendet e tjera. DAESH, FETO dhe MEK i bëjnë apo i kanë bërë këto gjëra gjatë viteve të fundit kundër shumë qeverive në botën muslimane.

Megjithatë, ndërsa qeveritë e Turqisë dhe Iranit kanë kërkuar që Shqipëria t’i ndihmojë vendet në fjalë në luftën kundër terrorizmit, autoritetet shqiptare kanë dështuar vazhdimisht t’i përmbahen ligjeve të tyre dhe të luftojnë terrorizmin me paanshmëri dhe pa paragjykime.

Edhe pse ambasada e Turqisë në Tiranë dhe shumë autoritete turke i kanë kërkuar vazhdimisht qeverisë shqiptare që të marrë masa ndaj FETO-s dhe të arrestojë njerëzit për të cilët Turqia dyshon se janë terroristë që kanë mbështetur grushtin e shtetit më 15 korrik 2016, pala shqiptare ka lënë pas dore detyrat e saj. Shembulli më i fundit i këtij standardi të dyfishtë u pa në 7 tetor 2017 kur policia kufitare shqiptare arrestoi Muhamed Aydogmus, një të dyshuar si FETO-ist të cilin Turqia e kishte vendosur në listën e kërkuar të Interpolit. Muhammed Aydogmus, i cili u ndalua gjatë përpjekjes për të dalë nga Shqipëria me dokumente të rreme, pasi u mësua që ishte anëtar i lëvizjes Guleniste u lirua dhe nuk u ndalua sic kërkohet nga ligjet shqiptare dhe turke.

Përveç krimeve të tij në Turqi, Muhammedi Aydogmus kishte kryer dy krime sipas kodit penal shqiptar. Nenet 189 dhe 297 bartin dënimin me burg prej tre deri në shtatë vjet, për njerëzit që falsifikojnë dokumentet dhe përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin. Megjithatë, Muhammedi Aydogmus mori një trajtim të veçantë nga autoritetet shqiptare. UNHCR dhe disa zyrtarë perëndimorë kërkuan nga Shqipëria që të lirojë të dyshuarin FETO-ist me arsyetimin se arrestimi i tij ishte politik. Qeveria shqiptare dhe gjykatat e saj refuzuan kërkesat nga ambasada e Turqisë në Tiranë për ekstradimin e tij dhe më pas u shpall që ai është arratisur dhe nuk dihet se ku është. Ai nuk u mbajt në paraburgim për krimet e tij në Shqipëri, ashtu siç mbahet çdo person tjetër që thyen ligjin.

Standardet e dyfishta që Shqipëria shfaq në luftën kundër terrorizmit mund të shihen edhe në rastin e Mojahedin-e Khalq (MEK) apo Organizatës Popullore të Xhihadit të Iranit që Shqipëria strehon në vendin tonë që prej vitit 2013 me kërkesën e amerikanëve. Kjo organizatë e zhvendosur nga Iraku në Shqipëri në 2016, tani ka disa kampe në Tiranë dhe është aktive në rekrutimin e politikanëve dhe rinisë shqiptare në mbështetje të luftës së saj.

Muxhahedinët iranianë drejtojnë operacione të ndryshme kundër Iranit nga këto kampe dhe udhëheqësja e tyre Maryam Rajavi (Marjam Raxhavi) dhe komandantët e saj vazhdimisht bëjnë thirrje për përmbysjen e dhunshme të qeverisë së Iranit. Senatorë dhe zyrtarë amerikanë që nga John McCain te John Bolton, kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajve të fundit dhe së bashku me Rajavin dhe një numër politikanësh shqiptarë si Pandeli Majko dhe Fatmir Mediu kanë bërë thirrje për luftë kundër Iranit.

Ajo që Maryam Rajavi dhe MEK bën në Shqipëri është pak a shumë e njëjta gjë që shumë xhihadistë selefistë bënin në vitet 2013-2014. Selefistët xhihadistë bënin thirrje për përmbysjen e dhunshme të regjimit të “diktatorit sirian” Bashar al-Assad dhe zëvendësimin e regjimit të tij me kalifatin e tyre xhihadist. Imam Genci Balla, një nga imamët selefistë që bënte thirrje për xhihad kundër Sirisë në vitin 2013, është burgosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe është dënuar me 17 vite burg. Ai u arrestua në vitin 2014 dhe u akuzua sipas neneve 231 dhe 265 të kodit penal shqiptar. Ai dhe shumë nga miqtë e tij u akuzuan për nxitje të terrorizmit dhe thirrje për të marrë pjesë në aksione ushtarake kundër një vend të huaj.

Shumë muslimanë selefistë që ndoqën imamin Genci Balla, pyesin në postimet e tyre në Facebook pse imami ynë është në burg, por muxhahidinët iranianë që bëjnë të njëjtat thirrje si imami ynë në të kaluarën nuk janë akuzuar apo dënuar kurrë, por në vend të kësaj nderohen nga politikanët amerikanë dhe shqiptarë? Njerëz të tjerë pyesin pse Shqipëria nuk i ekstradon të dyshuarit e FETO-s në Turqi në të njëjtën mënyrë që Turqia ekstradoi të dyshuarit e DAESH në Shqipëri në vitin 2013?

 

Lirimi i Muhammed Aidogmus, i cili u kap duke thyer ligjin dhe ndalimi me akuza të rreme i Xhezair Fishtit dhe Medat Hasanit nga autoritetet shqiptare tregon se Shqipëria ka standarde të ndryshme në luftën kundër terrorizmit. Nëse ndodh që të jesh mysliman selefi shqiptar, shanset janë që ju mund të burgoseni shumë kollaj nën akuza të rreme dhe me dyshime të pabaza si terrorist. Por nëse jeni anëtar i FETO-s apo MEK-ut dhe jeni kapur duke thyer ligjin ose duke bërë thirrje të hapur për luftë terroriste kundër Turqisë apo Iranit, preçedenti shqiptar tregon se ju nuk do të përballeni me drejtësinë për aktivitetet tuaja në mbështetje të terrorizmit. Për sa kohë që politika e jashtme amerikane është armiqësore kundër vendit ku ju dëshironi të ushtroni terror, Shqipëria do të bindet dhe nuk do u dënojë nëse përfshiheni hapur dhe ditën në diell në aktivitete terroriste.

Shqipëria ashtu sikur edhe Amerika ka standarte të dyfishta në luftën kundër terrorizmit. Disa terroristë janë të këqij, por disa janë të mirë.

Të paktën kështu na dikton të besojmë aleatja jonë e madhe, Amerika!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne