FETO përballet me ditë të vështira në Maqedoni

Institucionet e lidhura me organizatën FETO në Maqedoni të cilën Turqia e ka shpallur terroriste, janë duke kaluar ditë të vështira për shkak të problemeve financiare dhe luftës efikase të Turqisë kundër kësaj organizate.

Institucionet e lidhura me organizatën terroriste FETO, e cila ushtron veprimtari në Maqedoninë e Veriut, janë duke kaluar ditë të vështira për shkak të problemeve financiare dhe luftës efikase të Turqisë kundër kësaj organizate, shkruan Anadolu Agency.

Megjithëse organizata, e cila tentoi të kryejë grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016, përpiqet ta vazhdojë praninë e saj në vendet e Ballkanit me institucionet e saj në fusha të ndryshme, si arsimi dhe media, pamundësitë financiare, mungesa e kërkesës nga popullata lokale dhe lufta efikase e Turqisë dhe organizatave joqeveritare vendase ka bërë që ajo të përballet me një goditje të rëndë.

Edhe pse institucionet si Kolegji “Yahya Kemal” dhe gazeta “Zaman Maqedoni” janë ende aktive në Maqedoninë e Veriut, çregjistrimi i fëmijëve nga shkollat e FETO-s nga ana e popullatës lokale dhe mosblerja dhe mosreklamimi në gazetë i kanë dhënë goditje organizatës terroriste në aspektin financiar.

– Zvogëlohet numri i nxënësve në shkollat e FETO-s

Të ballafaquara me probleme financiare, shkollat e lidhura me FETO-n, më parë zhendosën drejtorinë e përgjithshme në ndërtesa të tjera, ndërsa Kolegji “Yahya Kemal”, me dy degë në Shkup, zbrazi edhe ndërtesën në lagjen Butel për shkak të rënies së numrit të nxënesve.

Ndërkaq, tabela e kolegjit në sheshin “Maqedonia” në Shkup u largua në saje të iniciativës së Halkbank Shkup. Në vendin ku dikur qëndron tabela me emrin e Kolegjit “Yahya Kemal”, tani gjenden emrat e Fondacionit Maarif të Turqisë dhe Halkbank.

Kolegji “Yahya Kemal” i lidhur me FETO-n gjithashtu ka shkolla në Tetovë dhe Gostivar, por për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkollën e Gostivarit, numri i vogël i nxënësve çdo ditë dërgohen në Tetovë.

Sipas të dhënave të siguruara, mësimdhënësit me shtetësi të Turqisë në shkollat e FETO-s në qytete të ndryshme të Maqedonisë vazhdojnë të punojnë ilegalisht përkundër faktit se atyre nuk u është vazhduar leja e qëndrimit.

Anëtarët e FETO-s që kanë ikur nga Turqia i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e organizatës në Maqedoninë e Veriut pa viza ose leje qëndrimi, ndërkohë që nevojitet që edhe këta nxënës, edhe punonjësit që nuk kanë leje qëndrimi dhe pasaporta të deportohen.

Nga ana tjetër, shkollat e FETO-s në vend nuk i pranojnë nxënëset me shami dhe nuk punësojnë mësuese me shami. Në Maqedoninë e Veriut, ku nuk ka kufizime të tilla me ligj, mësuesit dhe nxënësit mund të mësojnë ose punojnë në shkolla me dhe pa mbulesë, me kusht që të plotësojnë disa kërkesa.

Ndërkohë, disa prindër që duan t’i largojnë fëmijët e tyre nga shkollat e FETO-s dhe t’i regjistrojnë në Shkollat Maarif thuhet se kërcënohen se nuk do t’u jepen dokumentet e nevojshme për transferim. Personat në shkollat e FETO-s nuk i japin këto dokumente transferimi, të cilat kërkohet të merren për dërgimin e fëmijëve në shkolla të reja, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.

– Mbyllet “Zaman Maqedoni”

Edhe gazeta “Zaman Maqedoni”, një tjetër organ i lidhur me FETO-n, është përballur me probleme financiare.

Më 28 janar, ministri pa resor përgjegjës për Llogaridhënie dhe Transparencë i Maqedonisë së Veriut, Robert Popovski, njoftoi se gazetës “Zaman Maqedoni” të lidhur me organizatën terroriste FETO, i është ndarë mbështetje financiare në kuadër të programit mbështetës për shtypje dhe shpërndarje për vitin 2018.

Në kuadër të programit, nga 13 mediume, 11 prej tyre i ishte ndarë mbështetje, përfshirë edhe gazetën “Zaman Maqedoni”. Siç u njoftua, gazetës së FETO-s i janë ndarë 903.092 denarë (rreth 14.670 euro) në kuadër të këtij programi.

Pas këtyre zhvillimeve, Ambasada e Turqisë në Shkup dhe partitë politike turke në vend reaguan ashpër dhe protestuan para ambasadës kundër mbështetjes financiare. Më pas, “Zaman Maqedoni” vendosi t’i japë fund publikimit të shtypur si rezultat i vështirësive financiare, mosinteresimit të popullit dhe luftës aktive të Turqisë.

Nga ana tjetër, vitin e kaluar, tabelat e gazetës “Zaman Maedoni” në ndërtesën afër Çarshisë së Vjetër të Shkupit ishin hequr me iniciativë të Unionit të Demokratëve Ndërkombëtarë (UID).

– Kryeministri Zaev e cilësoi FETO-n “organizatë terroriste”

Zyrtarët qeveritarë në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete, përkundër faktit se në disa raste kanë theksuar se vendi mbështet luftën e Turqisë kundër FETO-s.

Në këtë kontekst është edhe deklarata e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë kremtimit të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke më 21 dhjetor të vitit 2017, kur ai tha se “Maqedonia mbështet luftën e Turqisë kundër organizatës terroriste FETO”. “Këtë do ta tregojmë me miqësinë tonë”, ishte shprehur Zaev.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, gjatë një vizite të fundit zyrtare në Turqi, në një konferencë të përbashkët për media me homologun turk Mevlüt Çavuşoğlu, tha se “Maqedonia fuqimisht qëndron në anën e Turqisë në luftën e rëndësishme kundër terrorizmit”.

“Në këtë kontekst, edhe në kuadër të detyrimeve tona kombëtare edhe ndërkombëtare, kemi edhe dëshirë edhe vullnet politik për t’i ndihmuar Turqisë”, kishte deklaruar Dimitrov.

Po ashtu, presidenti Gjorge Ivanov, gjatë vizitës së tij në Turqi, në konferencë të përbashkët me homologun turk Recep Tayyip Erdoğan tha se “Jemi të vetëdijshëm për të gjitha hapat e ndërmarra nga Republika e Turqisë”.

“Pa humbur kohë, ne kemi thënë se mbështesim Turqinë dhe zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Jemi kundër çdo lloji të terrorizmit”, kishte thënë Ivanov.

Edhe pse është e qartë se FETO përbën rrezik jo vetëm për sigurinë e Turqisë, por për të gjitha shtetet ku gjenden strukturat e saj, ende nuk është parë asnjë masë konkrete në Maqedoninë e Veriut në aspektin e luftës kundër kësaj organizate terroriste.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne