Shqiperia

Fiks Fare denoncon skandalin/ Kompani “fantazmë” dhe të pakontrolluara nga shteti masin audiencën e TV-ve që xhirojnë miliona euro

Fiks Fare denoncoi disa kompani të pakontrolluara nga shteti, pa të ardhura dhe pa punonjës, të cilat kontrollojnë audiencën e televizioneve që kanë qindra punonjës dhe xhirojnë dhjetëra miliona euro në vit.

Të ardhurat e vetme për televizionet janë reklamat, por disa kompani dezinformojnë tregun duke bërë matje audience me aparatura që nuk i kontrollon dhe nuk i ccertifikon askush.

Fiks Fare ka bërë një vëzhgim për dy kompanitë “Abacus” dhe “Telemetrix”, të cilat masin audiencën e televizioneve në Shqipëri.

Kompania ABACUS është themeluar në vitin 2011, ndërsa në vitet 2012 deri në 2014, ka qenë e pezulluar. Nga viti 2015, deri në vitin 2018, ka bërë matje audience. Por, në qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo kompani nuk figuron të ketë bërë asnjë investim në teknologji. Emisioni Fiks fare siguroi disa dokumente nga QKB-ja, ku rezulton se ABACUS deklaron të ardhura minimale në bilancet vjetore. Rezulton se ka vetëm një të punësuar dhe dy aksionerë. Është shitur dhe blerë disa herë, ku kuota e shitjes ka qenë 50 000 lekë të reja.

Fiks Fare shkoi disa herë në kompaninë Abacus, duke tentuar që të flasë me pronarët apo administratoren. Por, po në kaq herë, nuk ka arritur të kontaktojë asnjë prej tyre. Në zyrë, qëndronte vetëm një punonjëse, e cila fillimisht thotë se kompania ka leje nga entet publike. Por, në asnjë rast, pronarët apo punonjësit, nuk japin shpjegime se çfarë pajisjesh kanë të instaluara dhe nëse ato janë të licensuara apo të akredituara. Madje, punonjësja nuk e dinte se çfarë pajisje kishte kjo kompani, apo nëse pajisjet janë shtrirë apo jo në të gjithë territorin. Gazetarët komunikuan në telefon me administratoren e kësaj kompanie, znj.Jusilda Boçaj, e cila nuk pranoi që grupi i xhirimit të Fiks Fare të xhironte brenda ambienteve, për të parë nëse kishte apo jo pajisje. Për të gjitha pyetjet, administratorja kërkoi që t’i nisnim një kërkesë për informacion.

Pas disa tentativash në zyrën e kompanisë Abacus, redaksia e emisionit Fiks Fare merr informacion se administratorja punon në një tjetër vend si drejtoreshë në një kompani marketingu, në konflikt të hapur interesi. Ajo përsëri nuk pranoi të kthehnte përgjigje për pyetjet që Fiks fare i kishte dërguar me kërkesë zyrtare. Për sa i përket punësimit të saj si drejtoreshë në një kompani marketingu, ajo th se kjo është një e drejtë e saj.

Administratorja nuk iu përgjigj asnjëherë pyetjeve të Fiks fare për nr e aparaturave që kanë të shpërndarë në Shqiëpri, për certifikimin e tyre apo metodologjinë që përdorin në matjen e audiencës

Nga informacionet që disponon Fiks fare, rezulton se  në fund të vitit 2018 kjo kompani ka ndërprerë këtë shërbim, megjithëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqëria është aktive!

Kompania e dytë që mat audiencën e televizioneve në Shqipëri është “Telemetrix”, e cila operon që prej vitit 2012. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo shoqëri ka disa aksionerë.

Nga informacioni që siguroi Fiks fare, rezuton se dy prej aksionerëve të kësaj kompanie kanë katër kompani marketingu,z.Ardian Garo është aksioner edhe në tre kompani që operojnë në fushën e marketingut dhe z.Bledar Sema ,që është ortaku tjetër i Telemetrix, me 10 % të aksioneve, ka aksione në një tjetër kompani marketingu. Pra janë në konflikt të hapur interesi.

LEXO EDHE:  Fiks Fare/ Gërmimet për flori shkatërrojnë fshatin turistik, policia nuk reagon

Fiks Fare kontakton me administratorin e kompanisë “Telemetrix”, z.Ivi Rexhepi. Ai tregon se kompania ka pesë punonjës, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë vendosur 375 aparatura në familje. Sipas Rexhepit, pajisjet janë prodhuar nga vetë kompania dhe nuk janë të licensuara apo akredituara. Ai thotë se këto familje paguhen nga kompania, por çmimin e pagesës nuk e thotë. Sipas tij, 375 familjes janë në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë, Durrës dhe Elbasan.

“E vetmja licensë që kemi ne janë klientët tanë. Pajisjet nuk janë të licencuara se nuk ekziston një ent publik dhe duhet të krijohet kjo aparaturë. Ne aparaturën e kemi krijuar në bazë të disa metodave ndërkombëtare, aparatura janë krijuar nga ne, i vetmi akreditim është portofoli i klientëve tanë” thotë Rexhepi, Kur Fiks fare e pyet se nësë kjo kompani shkon pas këtij portofoli,a dminsitatori i Telemetrix, tha: “Klientët tanë janë kundërshtarë me njëri tjetrin dhe ne nuk favorizojmë asnjë, megjithëse është përmendur shumë”.

Fiks fare kërkoi leje nga adminsitratori i Telemetrix për të parë një aparatuër të tyre për matjen e audiencës dhe të filmojë në një familje ku është instalaur kjo aparaturë, por ai nuk pranoi. Sipas z.Rexhepi, listae familjeve ku jane vendosur 375 aparaturat e Telemetrix, është konfidenciale dhe çdo familje identifikohet me kod, madje edhe adresa është me kod. “Kur të ketë një institucion që do më kontrollojë do t’i nxjerrim këto lista”- thotë ai. Sipas tij,  matja e audiencës në aparatet e vendosura në familjet bëhet me audio, që do të thotë serveri merr audiot e aparateve të vendosura në këto 375 familje, pa figurë.

Fiks Fare filmoi edhe serverin ku ruhen të dhënat e 375 aparateve, server që ishte vendosur në një dhomë dhe nga pamjet kuptohet se ky server është shumë i vogël, madje, dhoma i ngjason më shumë një magazine, pasi në të janë disa kompjuter të prishur.

Për këtë problematikë, “Fiks Fare” iu drejtua kryetarit të AMA-s,z.Gentian Sala. “Ligji për mediat audiovizive nuk shprehet për kontroll dhe monitorim të matjes së audiencës. Ka dy apo tre kompani që e bëjnë këtë proces me iniciativën e tyre. Tregu i reklamës përbën të ardhurat e mediave dhe duhet të jetë sa më i rregullt” thotë kreu i AMA-s. Më tej shton se ky shqetësim ka shkuar në këtë institucion nga disa TV private, por shqetësimet vijnë edhe nga Këshillit i Europës. “Para disa muajsh kemi marrë iniciativë për të diskutuar me të gjithë aktorët e këtij tregu. Dolën problematikat dhe u ra dakord që do merret ekspert nga Evropa. Jam i shqetësuar që aktorët kryesorë të kësaj fushe duhet të ndërgjegjësohen që të bëhen bashke dhe të bëhet një matje audience si në gjithë Evropën” thotë Sala.

Në fund, pohon se ka ardhur koha që një gjë e tillë të realizohet. “Duhet të krijohet një grup pune që të dalim në një rezultat. Ne nuk na lejohet që të hyjmë në kontroll dhe monitorim të këtyre kompanive” përfundoi kreu i AMA-s,z.Gentian Sala.

 

OPINIONE