Fiter Bajrami, besimtarët do të falen për herë të parë në sheshin e ri “Skënderbej”

Për herë të parë, me rastin e Fiter Bajramit, sheshi “Skënderbej” do të shërbejë si një hapësirë dinjitoze për besimtarët myslimanë të cilët nesër do të kenë mundësinë të falen aty. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman Shqiptar, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij organizimi, duke bërë edhe dekorimin e sheshit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, inspektuan detajet e fundit të organizimit dhe uruan të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. “Jemi kujdesur për zbukurimin e qytetit për të theksuar se ky është një qytet i të gjithëve dhe besoj se në raste të tilla është çasti të urojmë njëri-tjetrin dhe të falenderojmë të gjithë ata që bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët të këtij qyteti sepse qyteti nuk është vetëm infrastrukturë, por edhe kulturë, edhe besim”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se pas afro një dekade, besimtarët myslimanë do të kenë mundësi që të falen në kushte dinjitoze, ndërsa shtoi se tashmë sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë në shërbim të qytetarëve. “I largohemi situatës ku besimtarët faleshin në rrugë. Nuk ishte dinjitoze për qytetin, i cili nuk ofronte dot një hapësirë publike. Besoj se me miratimin e kësaj kërkese, bashkia ka marrë një vendim të drejtë sepse sheshi është për njerëzit, ndaj siç përdoret për koncerte, për evente, për aktivitete, ashtu duhet të përdoret nga të gjithë besimtarët”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndërsa bëri me dije se parkingu nëntokësor në sheshin Skënderbej do të jetë falas për të gjithë besimtarët nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit. “I kemi marrë të gjitha masat për nevojat logjistike. Parkingu nëntokësor do të jetë falas për besimtarët nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit. Nëse parkingu i sheshit do të jetë plot, atëherë do të hapim edhe parkingun te Bulevardi i Ri, çka besoj se është mjaftueshëm për të gjithë besimtarët që vijnë nga jashtë unazës”, tha Veliaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne