Fitër Bajrami në Gjermani, Rusi, Kazakistan, Indonezi dhe Tunizi

Muslimanët në Gjermani, Rusi dhe Kazakistan kanë mbushur xhamitë për të falur namazin e Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarët muslimanë në Gjermani e falën namazin në Xhaminë Ayasofya në qarkun Mitte të kryeqytetit Berlin. Ata që nuk gjetën vend namazin falën jashtë.

Pas namazit të bajramit besimtarët ia uruan festën njëri tjetrit.

Gjithashtu edhe në qytetin Köln të Gjermanisë, në xhaminë e Unionit Islam-Turk (DITIB), u fal namazi i Fitër Bajramit.

– Rusi

Ndërsa në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, besimtarët muslimanë namazin e bajramit e falën në rrugë.

Para namazit, me rastin e Fitër Bajramit që u fal në Xhaminë Qendrore të Moskës, të gjithë rrugët përreth xhamisë ishin të mbyllura për trafik, ndërsa policia morri masa të sigurisë.

Në xhami u lexua mesazhi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe i kryeminsitrit Dmitry Medvedev me rastin e bajramit. Ndërsa kanali televiziv shtetëror rus Rossiya-1 e transmetoi drejtpërdrejtë namazin e bajramit.

Në Federatën e Rusisë ku jetojnë rreth 20 milionë muslimanë ka rreth 7 mijë xhami dhe mesxhide.

– Kazakistan

Ndërkohë mijëra besimtarët në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, e falën poashtu namazin e bajramit në Xhaminë Qendrore Nur Astana. Ndërsa në tendat e vendosura në oborrin e xhamisë u shërbye ushqim.

Në xhami u lexua edhe mesazhi i presidentit të vendit, Nursultan Nazarbayev me rastin e Bajramit.

– Indonezi

Në Indonezi, shtet me 260 milionë banorë dhe komunitetin më të madh të muslimanëve në botë, xhamitë ishin të mbushura me besimtarë muslimanë.

Tradita e të veshurit me veshje tradicionale lokale dhe shumëngjyrëshe vazhdoi edhe këtë vit, ndërsa edhe gratë morën pjesë në namazin e Bajramit.

Në ligjëratat nëpër xhami u dha mesazhi për unitet dhe dashuri, ndërsa theks i veçantë u vendos edhe në vizitat në familjet.

Presidenti i vendit, Joko Widodo, namazin e fali në qytetin Bogor.

– Tunizi

Besimtarët muslimanë në Tunizi, që në orët e parë të mëngjesit u mblodhën në xhaminë historike Al-Zaytuna, për të falur namazin e Bajramit.

Tunizianët që kanë veshur rrobat tradicionale të vendit, me padurim pritën kohën e namazit në oborrin e xhamisë.

Pas namazit u kryen lutje për paqe dhe prosperitet në shtetet islame./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne