Fitorja e Presidentit Erdogan festohet nga qytetarët në Ballkan (Prizren, Shkup, Tiranë etj)

Pas daljes së rezultateve të para jozyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën në Turqi, qytetarë të qyteteve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria dolën në rrugë për të festuar fitoren e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Festime në Maqedoni për fitoren e Erdoanit

Një numër i madh i qytetarëve në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, festuan shpalljen e fitores së presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan dhe Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në zgjedhje sipas rezultateve jozyrtare.

Qytetarët e mbledhur para Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit me flamuj të Turqisë dhe fotografi të presidentit Erdoan festuan pas shpalljes së rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Turqi.

Esnafët e çarshisë shpërndanë bakllava për qindra persona, ndërkohë që në festime morën pjesë qytetarë turq, shqiptarë dhe boshnjakë, të cilët festuan me brohoritjen mbështetëse “Rri drejtë, mos u përkul, Shkupi është me ty”.

Pas festimeve, qytetarët e Shkupit festuan edhe në rrugë duke krijuar kolonë automobilash në rrugët e qytetit. Krahas Shkupit, festime nëpër rrugë me instrumente muzikore u organizuan edhe në qytetin e Gostivarit.

Atmosferë festive në Prizren për fitoren e presidentit Erdoan

Qindra qytetarë të Prizrenit sot në qendër të qytetit festuan fitoren e presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan në zgjedhjet e sotme në Turqi.

Qytetarë të shumtë të Prizrenit, të cilët u mblodhën para Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, me këngë dhe brohoritje mbështetëse për presidentin Erdoan festuan fitoren e tij në zgjedhje.

“Ri drejtë, mos u përkul, Kosova është me ty”, “Kosova mburret me ty”, ishin disa nga brohoritjet e qytetarëve

Qytetarët, të cilët shprehën gëzim për fitoren e presidentit turk, mbanin në duar flamuj të Turqisë, fotografi të presidentit Erdoan, postera të partisë së tij AK PARTI, si dhe flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Përveç njerëzve nëpër rrugë, shumë të tjerë festuan me automjetet e tyre, duke formuar kështu radhë të gjata nëpër rrugë. Edhe mbi automjete të shumta ishte vendosur fotografia e presidentit Erdoan. Turma e madhe e njerëzve dhe kolona e automobilave që festonin bllokuan edhe rrugën kryesore në qendër të qytetit.

Në vendin ku festohej ishte i pranishëm edhe ministri i Administratës Publike dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke, Mahir Yağcılar, i cili uroi fitoren e presidentit Erdoan.

Ai po ashtu shtoi se me këto zgjedhje edhe Republika e Turqisë, edhe populli turk është bërë një shembull i demokracisë.

Fitorja e Presidentit u festua edhe në Shqipëri

Qytetarët në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, festuan suksesin e arritur nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan i cili fitoi zgjedhjet e mbajtura të dielën në Turqi.

Qytetarët janë mbledhur në disa rrugë të kryeqytetit duke festuar me flamuj të Turqisë dhe Shqipërisë, duke ndjekur edhe rezultatet e zgjedhjeve.

Dhjetëra qytetarë kanë brohoritur me slogane në mbështetje të Turqisë dhe presidentit Erdoan, për suksesin e arritur në zgjedhje.

Në disa lokale qytetarët kanë festuar teksa ndiqnin edhe rezultatet e zgjedhjeve në Turqi.

Festime kanë organizuar edhe studentët shqiptarë, të cilët kanë studiuar në Turqi, duke shprehur mbështetjen e tyre për Turqinë dhe presidentin Rexhep Tajip Erdoan. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne