Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve parlamentare në Itali

Ligji zgjedhor italian parashikon në fakt zgjedhjen e një të tretës së deputetëve dhe senatorëve në sistemin mazhoritar me një raund dhe kandidati që siguron më shumë vota në zonën e tij elektorale shpallet fitues.

Vendet e tjera janë ndarë sipas sistemit proporcional brenda listave të paraqitura nga partitë apo koalicionet në zona e mëdha zgjedhore. Për të siguruar zgjedhjen e kandidatëve me influencë, një parti mund të prezantojë të njëjtin person në pesë lista.

Pa u paragjykuar nga zgjedhjet me sistem proporcional, shumë personalitete me influencë u fshinë në zonat e tyre zgjedhore.

Ky është rasti i kryetarit në ikje të Senatit dhe kreu i grupimit të majtë “Të Lirë dhe të Barabartë (LEU)”, Pietro Grasso. Në njësinë e tij administrative të Palermos (Sicili), ky ish-gjyqtar i antimafias, i njohur dhe i respektuar në Itali, arriti të marrë vetëm 5,8% të votave.

Kryetarja e mëparshme e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini, gjithashtu kandidate e LEU-së, pati të njëjtin fat në Milano, pasi u bë objekt i sulmeve mjaft të ashpra nga ana e ekstremit të djathtë dhe ia doli të fitojë vetëm 5,8% të votave.

I njëjti rezultat zhgënjyes për një tjetër personalitet me ndikim të LEU-së, Massimo D’Alema, ish-kryeministër i vendit, i cili arriti të fitojë vetëm 3,9% të votave në bastionin e tij në zonën e Pulias (Jug).

Disa anëtarë të qeverisë së Kryeministrit në ikje, Paolo Gentiloni, humbën gjithashtu në njësitë e tyre administrative.

Ministri i Brendshëm, Marco Minniti, fitoi pikë duke u pozicionuar i treti me një rezultat të kënaqshëm prej 27,7%, pasi ia doli të frenojë fluksin e emigrantëve drejt Italisë falë një marrëveshjeje të diskutueshme me autoritetet dhe milicinë libiane.

Të njëjtin fat patën edhe ministrja e Mbrojtjes, Roberta Pinotti apo ministri i Kulturës, Dario Franceschini.

Kreu i qeverisë në ikje, Paolo Gentiloni, fitoi nga ana tjetër lehtësisht në zonën e tij në Romë me një rezultat prej 42%.

Ministri i Financave, Pier-Carlo Padoan, u zgjodh gjithashtu me më shumë se 36% të votave në rajonin e Sienës, në Toskanë.

Matteo Renzi, kreu i Partisë Demokratike, (PD, qendra e majtë) i konsideruar si përgjegjës i humbjes së partisë së tij, rifitoi bindshëm në bastionin e tij në Firence me rreth 44% të votave.

Por ky rezultat është ende larg nga ai i kreut të Lëvizjes 5 Yjet (M5S, antisistem), Luigi Di Maio, që fitoi më shumë se 60% të votave në zonën e tij pranë Napolit. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne