Fjala e përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në OKB nxjerr në pah hipokrizinë e SHBA-së dhe Britanisë në trajtimin favorizues të grupeve terroriste në Siri

Nga Ambasada e Rusisë në Shqipëri / Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании

Shtetet e Bashkuara po bëjnë çmos për të justifikuar një tjetër sulm ushtarak kundër qeverisë legjitime të Sirisë. Uashingtoni dhe aleatët e tij injorojnë kërcënimin terrorist në Siri dhe nuk i kushtojnë asnjë vëmendje faktit që xhihadistët zotërojnë arsenale të mëdha të armëve kimike. Në vend të kësaj, vazhdojnë të shpikin pretekste, si ky i fundit për sulmin e pretenduar kimik të qeverisë siriane në Guta Lindore, dhe nuk kanë asnjë interes për zgjidhjen reale politike në Siri.

Më poshtë është një pjesë nga fjala e Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në OKB Vasili Nebenzja gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit më 9 prill 2018, ku debatoi me homologet e tij nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe nxorri në pah hipokrizinë e tyre nxorri në pah hipokrizinë e tyre në trajtimin favorizues të grupeve terroriste në Siri:

Zoti Kryetar,

Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës, pa pasur asnjë arsye dhe pa menduar për pasojat, po ndjek një politikë konfrontuese ndaj Rusisë dhe Sirisë, duke i nxitur të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Po përdoret një arsenal i madh metodash, si shpifje, fyerje, retorikë luftarake, shantazh, sanksione, si edhe kërcënime me dhunë kundër një shteti sovran. Kërcënime flagrante po i bëhen edhe Rusisë. E gjitha kjo bëhet me një ton i cili shkon përtej kufijve të pranuar. As në kohën e luftës së ftohtë paraardhësit tuaj nuk ia kanë lejuar vetes një harbutëri të tillë.

Mungesa tek ju e një strategjie të qartë jo vetëm neve na duket e habitshme. Është e habitshme për shumicën e të pranishmëve në këtë sallë. Thjesht nuk guxojnë t’jua shprehin në mënyrë të hapur.

Një nga drejtimet ku armiqësia shfaqet më dukshëm është Siria. Në këtë vend terroristët dhe ekstremistët, të cilët gëzojnë mbështetjen e sponsorëve të tyre të jashtëm, po pësojnë disfatë. Po ju rikujtoj se bëhet fjalë për ata terroristë dhe ekstremistë që janë pajisur, janë financuar dhe janë çuar në Siri nga ju për rrëzimin e qeverisë legjitime. Pra, tani është e qartë se përse kjo shkakton histeri tek ata që kanë investuar politikisht dhe financiarisht në këto forca të errëta.

Kohët e fundit, falë përpjekjeve të Rusisë në kuadër të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, po ndërmerret një operacion i madh për zhbllokimin e Guta-s Lindore, banorët e së cilës ishin të detyruar të vuanin për disa vite nga mizoritë e luftëtarëve. Më shumë se 150 mijë civilë janë evakuuar nga rrethinat e Damaskut krejt vullnetarisht, me garantimin e kushteve të duhura të sigurisë.

Janë tronditëse përmasat e tuneleve të përdorura nga xhihadistët. Në disa prej tyre mund të lëviznin në drejtime të kundërta kamionë të vegjël! Kjo infrastrukturë mbresëlënëse nëntokësore ka lidhur pozicionet e grupeve, të cilat disa i quajnë “të moderuara”, me pikat e komandës të Frontit Al Nusra.

Më 6 prill, liderët e grupit Jaysh al-Islam të nxitur nga kujdestarët e tyre penguan evakuimin e pjesës së katërt të luftëtarëve nga qyteti i Douma-s dhe rinisën bombardimet me raketa dhe mina të lagjeve të banimit në Damask. Sipas të dhënave zyrtare, 8 civilë u vranë dhe 37 të tjerë u plagosën. Për fat të keq, nuk dëgjuam asnjë deklaratë nga kryeqytetet perëndimore që do të dënonin bombardimet ndaj pjesës historike të Damaskut.

Ditën e nesërme, më 7 prill, luftëtarët i akuzuan autoritetet siriane për hedhjen e bombave fuçi të mbushura me substanca helmuese, por u ngatërruan në deklaratat e tyre, duke përmendur qoftë klorin, qoftë gazin sarin, qoftë përzierjen e gazrave helmues. Sipas skemës së njohur, zërat që qarkullonin u përhapën direkt nga organizatat joqeveritare të financuara nga vendet perëndimore, si edhe nga “Kaskat e Bardha” që veprojnë nën petkun e rremë të shpëtimtarëve. Po aq shpejt këto “lajme” u shfaqën edhe në media.

Uashingtoni, Londra dhe Parisi dolën menjëherë në përfundimin se janë autoritetet siriane ato që mbajnë përgjegjësi… Mos vallë nuk e pyet veten askush se përse iu desh kjo Damaskut? U lëshuan fyerje në adresë të Sirisë, por barra më e madhe e përgjegjësisë iu hodh Rusisë dhe Iranit, gjë që besoj se nuk habit më askënd.

Më 8 prill, gjatë krehjes së Al Shifunia-s, në afërsi të Douma-s, ushtarakët sirianë zbuluan një punishte të improvizuar të grupit Jaysh al-Islam për prodhimin e bombave kimike. U gjetën reaktivë të klorit të prodhuar në Gjermani, si edhe disa pajisje speciale.

Pavarësisht nga provokimi, specialistët rusë vazhduan përpjekjet e tyre për zgjidhjen e situatës në Guta Lindore. Të dilën pasdite, më datë 8 prill, në bazë të dakordësive të reja rinisi edhe evakuimi i luftëtarëve të Jaysh al-Islam-it.

Pas çlirimit të Douma-s nga luftëtarët, aty u dërguan specialistë rusë për mbrojtjen radiologjike, kimike dhe biologjike me qëllim mbledhjen e të dhënave. Morën mostrat e dheut, në të cilat doli që nuk ka asnjë substancë nervore apo me përmbajtje klori. Intervistuan banorët e zonës, si edhe luftëtarët që hoqën dorë nga rezistenca. Asnjë nga banorët nuk konfirmoi faktin e sulmit kimik. Spitalit të zonës nuk iu drejtua asnjë person i lënduar me shenja dëmtimi nga ndonjë substancë helmuese e tipit sarin apo klor. Dhe nuk ka asnjë institucion tjetër funksional shëndetësor në Douma. Nuk u gjet asnjë trup i pajetë i atyre që kanë vdekur si pasojë e helmimit. As personeli mjekësor, as banorët e zonës nuk kanë informacion se ku mund të ndodhet vendvarrimi tyre. Pra, fakti i përdorimit të sarinit apo klorit në Douma nuk është vërtetuar.

U bëj thirrje të gjithëve, që do të flasin pas meje dhe do të akuzojnë “regjimin” [sirian], të niseni nga fakti se nuk pati asnjë sulm kimik.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne