Nga Pirro Prifti

E gjithë Shqipëria ka ndjekur me kujdes ngjarjen në Bularat e cila filloi si përvjetor dhe respekt për ushtarët grekë të rënë në Luftën italo-greke 78 vite më parë, ku morën pjesë edhe përfaqësues zyrtarë nga shteti grek të cilët u pritën me nderime dhe respekt. Nga ana tjetër, pamë edhe ngjarjen e paprecedent që ndodhi gjatë këtij përvjetori nga një ekstremist minoritar i cili qëlloi disa herë me armë automatike duke tmerruar dhe frikësuar të gjithë shqiptarë dhe minoritarë e grekë që morën pjesë në atë eveniment. Evenimenti u harrua shumë shpejt sepse ndodhi një ngjarje tjetër e turpshme kur ekstremisti minoritar jo vetëm qëlloi kundër njerëzve dhe makinës së policisë por ishte i veshur me uniforme ushtarake joshqiptare, dhe vazhdoi të shajë shtetin shqiptar, Shqipërinë, vëllezërit e tij shqiptarë si dhe të kërkonte lirinë e Vorio-Epirit. Veprimet e tij të pamenduara dhe dashakeqe përfunduan me vrasjen e tij për shkak të refuzimit dhe të kundërshtimit me armë kundër policisë shqiptare dhe RENEA-s. Pavarësisht ngjarjes fatkeqe, historia që e dimë të gjithë, nuk mbaroi me kaq. Përpjekjet për të manipuluar ngjarjen nga individë të politikës greke dhe të ndonjë deputeti të Parlamentit tonë, me qëllim që të heroizojnë një individ që nuk asgjë për t’u bërë hero, përpjekjet për të ngritur akuza ndaj policisë shqiptare gjoja sikur nuk kishte vepruar në bazë të ligjit ndaj një individi nuk munguan.

Por për fat të mirë Opinioni i shëndoshë grek dhe shumica e politikanëve grekë e kuptuan problemin dhe madje e akuzuan njërin nga tv greke për `Fake News`, duke miratuar veprimet e ligjshme të policisë shqiptare. Zhgënjyes mbeten disa fakte këtu në Shqipëri: Si ka mundësi që Opozita nuk përkrahu Policinë shqiptare por heshti madje përdori dhe ndonjë batutë kundër qeverisjes dhe policisë, si ka mundësi ndonjë deputet prej shumë kohësh në Parlamentin shqiptar që përfaqëson një parti të pakicave të sillet sikur të mos jetojë në Shqipëri por të përkrahë qoftë dhe heshturazi ekstremistët e ndaluar dhe që kanë hyrë nga Greqia, si ka mundësi që Presidenti të mos thotë asnjë fjalë qoftë dhe për të treguar se është President i një vendi Sovran dhe jo i varur apo i detyruar nga të tjerët? Si ka mundësi që Kryetari i PDIU, të mos prononcohet për ngjarjen? Si do të reagonte shteti grek nëse në vendin e tyre do të hynin ekstremistë dhe do të qëllonin me armë e do të shanin Greqinë? Pamë edhe një foto ku Flamuri shqiptar po digjej nga disa ekstremistë. Ky është një turp dhe provokim i padëgjuar brenda tokës shqiptare nga disa ekstremistë të ardhur nuk dihet se si, nga Greqia. Shteti reagoi brenda rregullave dhe disa nga ata i arrestoi por i liroi më vonë.

Normalisht këta persona nuk duhet të hyjnë më në Shqipëri qoftë me leje qoftë dhe ilegalisht. Dihet se disa nga të ndaluarit si Babis-Harallabos është një ekstremist i Partisë ekstremiste të djathtë LAOS, Bejleri mbetet një antishqiptar besnik. Kuptohet se personat që kanë hyrë në Shqipëri për funeralin e ekstremistit janë persona gjithashtu ekstremistë që kanë hedhur parulla për vorio-epirin edhe më parë dhe kanë hyrë e dalë në Shqipëri duke abuzuar me Lirinë dhe të drejtat e Minoriteteve dhe duke ngritur pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Për fat të mirë qeveria Greke e Cipras ka mbajtur qëndrim korrekt dhe ka bërë thirrje për qetësi.

Vetë Cipras tha: “pavarësisht kësaj ngjarje Greqia nuk ka ndër mend që të ndryshojë strategjinë e saj. “Në 28 tetor në varrezat e Bularatit u krye varrimi i eshtrave të të rënëve tanë në Shqipëri. Këto zhvillime kanë një vlerë dhe ne nuk duhet t’i harrojmë. Dialogu me Shqipërinë duhet të vazhdojë. Duhet të hedhim edhe hapa të tjerë që minoriteti grek në Shqipëri të ketë të gjitha të drejtat që i takojnë. Do zgjidhim problemet e vjetra”. I shkëlqyer ka qenë dhe vetëpërmbajtja jo vetëm e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Rama, por edhe i popullit shqiptar i cili është me të vërtetë shumë më i kulturuar dhe i vetëpërmbajtur, dhe nuk reagoi nga këto ngjarje poshtëruese për shtetin shqiptar, megjithëse kishte të drejtën e Zotit të reagonte. Shpresojmë që ngjarje të tilla të mos të përsëriten më por e rëndësishme është që edhe Opozita dhe Mazhoranca në ngjarje të tilla duhet të jenë në një linjë. Sigurisht lidhja vëllazërore që kemi me minoritarët do të vazhdojë, por keqdashësit dhe ekstremistët duhet të dënohen. Qëndrimi aspak ligjor dhe etik i ndonjë deputeti minoritar nuk duhet të kalojë në heshtje./ mapo

22