Flota ushtarake turke ringjall traditën 500 vjeçare të përshëndetjes së Barbarosës, marinarit osman më të famshëm

Korpusi i flotës së marinës turke që po kthehej nga stërvitja më e madhe detare e historisë së Turqisë, ringjalli një traditë të vjeter detare tashmë të harruar. Duke kaluar afër Beshiktashit, flota ushtarake turke përshëndeti varrin e marinarit ushtark më të famshëm turk të të gjitha kohërave.

Marinarët e fregatës TCG Barbaros, një nga anijet luftarake më kryesore të marinës turke e quajtur Hajredin Barbarosa, përshëndetën varrin e marinarit osman teksa kalonin Bosforin afër brigjeve të zonës së Beshiktashit.

Njëmbëdhjetë luftanije duke përfshirë TCG Barbaros, Oruçreis, Kemalreis dhe fregatat Yildirim, Burgazada si dhe korvetën Bandirma, torpedo të ndryshme dhe nëndetëse, u ktheyen nga stërvitja ushtarake “Blue Homeland 2019” që u zhvillua në tre dete përreth Turqisë. Luftanijet kaluan të shtunën Bosforin për t’u kthyer në bazat detare Gölcük dhe Aksaz të provincës veriperëndimore të Kocaeli-t dhe provincës jugperëndimore të Mugla-s. Në stërvitjen që u zhvillua në Mesdhe dhe Egje morën pjesë gjithsej 103 anije luftanije dhe mjete të tjera detare.

Kalimi i flotës turke i mundesoi edhe qytetarëve të Stambollit që të shijonin një pamje interesante teksa shijonin motin e ngrohtë të zonës atraktive.

Fregata TCG Yildirim me kullën e Gallatës në sfond.

Torpedoja TCG Kiliç me xhaminë Suleymanije në sfond.

Torpedoja TGG Marti me Haja Sofian dhe sarajet e Topkapisë në sfond.

Në dalje e sipër nga Bosfori, anijet luftarake u afruan më pranë bregut perëndimor për të përshëndetur Hajredin Pashë Barbarosën, marinarin e famshëm që ngriti lart fuqinë detare osmane në Mesdhe. Varri tij ndodhet afër bregdetit në zonën qëndrore të Beshiktashit.

I lindur me emrin Hidri në ishullin Lesbos të Egjeut, Hajredini dhe vëllezërit e tij, Isaku, Oruçu dhe Iljasi, u bënë që të gjithë detarë që shërbenin në Egje dhe Mesdhe. Oruçi, i cili në të vërtetë kishte një mjekër të kuqe, u quajt nga italianët “Barbarossa”. Ky ishte edhe emri më i famshëm me të cilin filloi që të njihej familja. Ai fillimisht i shërbeu osmanëve dhe mamlukëve si pirat që sulmonte portet e kryqëtarëve dhe flotat që u përkisnin kryesisht spanjollëve, venecianëve dhe gjenovezëve. Prej vitit 1503, Oruçi u bashkua me Hidrin dhe Isakun. Zona e tyre bazë ishin brigjet e Djerba-s në Tunizi. Që nga kjo zonë që ishte disi autonome, ata u angazhuan kunder forcave kryqtare në Mesdheun Perëndimor. Shpesh herë edhe në bashkëpunim me sundimtarët lokalë si dhe me pjesëmarrjen e marinarëve anembanë Mesdheut, vëllezërit arritën të pushtonin Algjerinë dhe të përzenin nga aty spanjollët. Rajonin ja dorëzuan osmanëve, ndërsa Sulltan Selimi I e emëroi Oruçin si guvernator të Algjerisë. Ata u kthyen në tmerr për të gjithë Italinë dhe Spanjën për bastisjet e tyre të pafundme ndaj flotave dhe porteve, megjithatë ata fituan edhe respektin e shumë të tjerëve për përpjekjet që bënë në transportimin e muslimanëve dhe hebrenjve mergimtarë qe ktheheshin nga inkuzicioni spanjoll për në vendet e ndryshme të Perandorisë Osmane.

Spanjollët dhe kundërshtarët kryesorë të osmanëve në Evropën Qendrore që ishin austriakët, nisën një ekspeditë në Algjeri. Oruçi dhe Isaku u vranë në betejën e Tlemcen-it në vitin 1517. Hidri, i cili ndërkohë emerohet guvernatori i lartë provincial me titullin “Bejlerbej”, merr drejtimin e pozicionit që kishte pasur Oruçi, pushton portet e ndryshme spanjolle në Algjeri dhe Marok dhe ndalon përpjekjet italiano-spanjolle për të rimarrë teritoret dhe pasuritë e humbura, madje bastis ndërkohë edhe territorin spanjoll dhe atë italian. Pas sukseseve të shumta dhe marrëdhënien e përzemërt me Portën e Lartë, Hidri u thirr në vitin 1532 në Stamboll nga Sulltan Sulejmani I (Suleimani i Madhërishëm) ku u emërua Kaptan-i Derya (Admirali i Madh) dhe u quajt nga Sulltani me emrin Hajredin, që kishte kuptimin më i miri i besimit.

Kjo miniaturë e epokës osmane tregon Hayredin Barbarosën para Sulltan Sulejmanit I.

Në vitin 1538, flota osmane nën komandën e Barbarosës i dha një goditje të rëndë flotës së kryqëtarëve të udhëhequr nga Andrea Doria në betejën e Prevezës në brigjet e Greqisë perëndimore. Deri në humbjen e rëndë të osmanëve në Betejën e Lepantos në vitin 1571, që ndodhi rreth 100 kilometra në juglindje, osmanët kishin qenë pothuajse të pamposhtur në Egje dhe në Mesdhe. Barbarosa luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në krijimin e aleancës franko-osmane kundër Çarlit V të Perandorisë së Shenjtë Romake, sundimtarit të Spanjës, Austrisë dhe teritoreve të tyre në Itali dhe Holandë. Hajredini ndihmoi francezët që të rimerrnin Nicen në një fushatë dhe rrethim që ndodhi në vitin 1543. Ai i ndihmoi ata që të ruanin frontin e tyre jugor nga sulmet e ndryshme të spanjollëve dhe aleatëve të tyre italianë. Aleanca zgjati në një farë mase deri në kohën e fushatës ushtarake të Napoleon Bonapartit që zhvilloi në vitin 1789 në Egjipt.

Barbarosa u tërhoq nga pozicioni i tij për shkak të moshës në vitin 1545 dhe vdiq shumë shpejt pas vitit 1546. Sipas dëshirës së tij, ai u varros në Beshiktash në një varr të ndërtuar nga arkitekti i famshëm osman Sinan. Në pranverë, teksa po lundronte afër kantjerit të vjetër detar të Briut të Artë në lagjen Kasimsha, flota osmane ankorohet në Beshiktash. Pasi viziton varrin e detarit të famshëm, gjuan me të gjithë arsenalin e saj të topave për nder të tij. Kjo praktikë e njohur me emrin “çimavira” tregonte nderimin që i bënte flota osmane. Në shekujt që do të vinin, kjo u kthye në një traditë e përvitshme deri sa erdhi periudha e Tanzimatit në shekullin e 19-të, kohë kur Perandoria filloi të pësonte disfata dhe tërheqje nga të gjitha frontet. Përshëndetja e këtij viti që flota ushtarake turke i bëri varrit të marinarit të famshëm ishte e para pas pothuajse një shekulli e gjysëm ndalese.

Gjatë periudhës së Barbarosës, vakfi islamik i ngritur nga trashëgimia e pasurive që kishte pasur në Beshiktash, së bashku edhe me varret e dhjetëra skllevërve të liruar prej tij që gjendeshin gjithashtu të vendosur pranë varrit të tij, me kalimin e viteve u zunë nga struktura të ndryshme. Më vonë, gjatë periudhës së republikës së viteve 1930 dhe 1940, zona që rrethonte varrin u pastrua dhe u organizua si një shesh ndërsa Muzeumi Detar i Stambollit, i themeluar në 1897, u zhvendos në një kompleks të ri afër sheshit./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne