Rritja ekonomike e Kosovës me 4 për qind vitin 2018, është ndër më të lartat në rajon, megjithatë nuk mjafton për të kapur vendet tjera, deklaroi shefja i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë (FMN), Stephanie Eble, në fund të një vizite dy javore në Kosovë.

Delegacioni i misionit të FMN-së, gjatë qëndrimit në Kosovë ka bërë konsulta me autoritetet e vendit duke vënë theksin te kuartali i fundit i vitit 2018, me ç‘rast është konstatuar se Kosova vazhdon të ketë një stabilitet ekonomik, që është parakusht për hapjen e vendeve të reja të punës.

Në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin kosovar të Financave, Bedri Hamza, shefja e misionit të FMN-së, Eble, tha se rritja ekonomike prej rreth 4 për qind këtë vit, është ndër më të lartat në rajon.

“Kjo është nxitur nga investimet dhe shpenzimet, por, edhe nga rritja e eksporteve me mbështetjen e remitencave të rangut të lartë. Vitin e ardhshëm pritet një rritje më e madhe, pasi priten investime dhe shpenzime më të mëdha, megjithatë kjo nuk mjafton nëse krahasohet me vendet tjera të rajonit dhe të Evropës. Këtu duhet të përmendim edhe nivelin e lartë të papunësisë”, tha Eble.

Ajo porositi që Kosova të përshpejtojë reformat tatimore, në mënyrë që të ulë ekonominë gri, si dhe të ulë shumën e madhe të borxhit tatimor të papaguar. Ajo kërkoi që të vazhdohet reforma e skemës së pagesave të veteranëve të luftës. Njëherësh tha se projektligji për pagat duhet të rishikohet.

“Jo vetëm nga shkaku i kostos së lartë, por edhe nga shkaku i shumë lëshimeve sepse nuk mundëson të ardhura të njëjta për të njëjtën punë, por ofron rritje të konsiderueshme për disa grupe specifike. Në të njëjtën kohë duhet të përmirësohet edhe efikasiteti i kostos”, tha Eble.

Ministri Hamza tha se pritjet e tij janë që buxheti të realizohet me 98 deri 99 për qind. Ai vuri në dukje se buxheti nuk po mbushet në nivel lokal, për çka u bëri thirrje komunave të bëjnë mbledhje më të mirë të të hyrave të cilat mundësojnë realizimin e detyrimeve të cilat janë dakorduar bashkë me FMN-në: pagat, deficiti buxhetor më i ulët se 2 për qind dhe bilanci bankar i cili garanton likuiditet.

Ai tha se dallimet për zhvillimin ekonomik mes projeksioneve të FMN-së dhe atyre të Qeverisë së Kosovës janë të vogla.

“Dallimi është rreth 30 milionë euro. FMN-ja mendon se planifikimi i të hyrave duhet të jetë më i vogël. Ka hapësirë për të pasur të hyra më të mëdha se sa që i kemi planifikuar në buxhet, mirëpo këto jemi të sigurtë që do të përcillen edhe me masa adekuata, sidomos me masa adekuate te agjencionet që janë përgjegjëse për grumbullimin e të hyrave siç është dogana, administrata tatimore e Kosovës. Por, pres që do të kemi një performanceë më të mirë të të hyrave edhe në nivel lokal”, tha Hamza, sipas të cilit, buxheti nuk bazohet në taksa të reja, por në rritjen e prodhimit ekonomik dhe reduktimin e ekonomisë gri.

Burimi: AA

6