FMN: Shqipëria, rritje të shpejtë ekonomike

Një mision i FMN, nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 7-20 mars 2018, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP). Në përfundim të vizitës, misioni doli në konkluzionet se Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, por thekson se ekziston risku që ky ritëm mund të mos zgjasë shumë.

Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, ndërsa norma e rritjes ekonomike çmohet se do të arrijë 3,9 për qind në 2017 dhe 3,7 për qind në 2018. Kushtet e financimit janë tejet të favorshme, ndërkohë që norma e inflacionit dhe normat e interesit vijojnë të jenë shumë të ulëta. Po përshpejtohet rritja e investimeve dhe besimi vijon të jetë i lartë. Eksportet po rriten, të mbështetura nga rimëkëmbja e fortë ekonomike e partnerëve tregtarë nga BE-ja. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë (BSH) janë të mjaftueshme (mbi 6 muaj mbulim importesh) ndërsa flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) vijojnë me një ritëm të qëndrueshëm. Megjithëse rimëkëmbja ende nuk mbështetet nga kreditimi, sektori bankar është i qëndrueshëm, likuid dhe rentabël. Parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitiv, me kusht që të përshpejtohet ritmi i reformave, për ta rritur besimin dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për investime të reja dhe rritje”, thuhet në konkluzionet e FMN.

Por sipas FMN, risku që has ekonomia shqiptare është se ky ritëm i rritjes ekonomike mund të mos zgjasë shumë.

Rritja në BE ka ritme përshpejtuese që prej vitit 2016. Por rimëkëmbja e rritjes ekonomike është përgjithësisht ciklike dhe parashikimi afatmesëm mbetet i ulët për shkak të problemeve të pazgjidhura që ka lënë pas kriza, të rritjes së dobët të produktivitetit dhe të faktorëve frenues demografikë. Ka edhe risqe globale nga një korrigjim i beftë i tregjeve financiare, pasigurive politike dhe politikave proteksioniste të cilat mund ta ulin besimin dhe rritjen ekonomike. Ngadalësimi do ta prekte negativisht Shqipërinë nëpërmjet kanaleve të tregtisë, investimeve dhe sektorit bankar”, thuhet në deklaratën e FMN.

Më tej theksohet se është momenti i përshtatshëm për t’i përshpejtuar reformat, për t’i zbutur këto risqe dhe për të krijuar mburoja ndaj tronditjeve të padëshirueshme në të ardhmen.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne