Të paktën një palestinez është plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe disa të tjerë kanë pësuar dëme nga thithja të gazit lotsjellës, pas përleshjeve të forcave izraelite dhe demonstruesve që mbajtën një tubim në mbështetje të të burgosurve palestinezë në grevë ure.

Burimet lokale, duke folur në kushte anonimati, thanë se dhjetëra palestinezë ishin mbledhur jashtë burgut të Oferit të drejtuar nga Izraeli në afërsi të qytetit të pushtuar të Bregut Perëndimor të Beitunias të enjten, për të shprehur solidaritet me të burgosurit palestinezë në grevën e urisë në burgjet izraelite.

Forcat ushtarake izraelite ndërhynë dhe qëlluan me plumba dhe me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Një protestues u qëllua dhe u plagos gjatë konfliktit. Zona ishte pjesërisht e mbuluar me një re tymi, duke shkaktuar irritim të disa demonstruesve.

Tubimi erdhi pasi rreth 1,500 të burgosur nga të gjitha fraksionet politike palestineze po marrin pjesë në një grevë urie të hapur për të protestuar ndaj kushteve të ashpra të burgjeve dhe kufizimeve në vizitat familjare.

Më 13 prill, grupi i shquar për të drejtat e njeriut me qendër në Londër, Amnesty International, i bëri thirrje regjimit të Tel Avivit t’i japë fund politikave “të paligjshme dhe mizore” ndaj të burgosurve palestinezë.

“Politika e pamëshirshme e Izraelit për mbajtjen e të burgosurve palestinezë të arrestuar në burgje në territoret e okupuara palestineze është një shkelje flagrante e Konventës së Katërt të Gjenevës”, tha Magdalena Mughrabi, Zëvendës Drejtoresha Rajonale për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Amnesty International.

“Është e paligjshme dhe mizore, dhe pasojat për personat e burgosur dhe të dashurit e tyre, të cilët shpesh janë të privuar nga takimi me ta për disa muaj, dhe herë pas here për vite me radhë, mund të jenë shkatërruese”, shtoi Mughrabi.

Ndërkohë, përplasjet mes protestuesve palestinezë dhe ushtarëve izraelitë pranë kampusit të universitetit al-Kuds në qytetin Abu Dis kanë lënë një palestinez të plagosur.

Forcat ushtarake izraelite kishin bastisur qytetin në orët e hershme të enjten, duke vendosur dhjetra trupa në rrugët dhe lagjet e saj.

Forcat thuhet se u ndalën dhe inspektuan studentë palestinezë në rrugën e tyre për në universitet, duke shkaktuar përplasje.

Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës njoftoi se një palestinez ishte goditur dhe plagosur me një plumb çeliku të veshur me gomë, ndërsa 11 të tjerë kishin pësuar inhalim të gazit lotsjellës. Një protestues palestinez gjithashtu u arrestua.

Territoret e pushtuara palestineze kanë përjetuar tensione të reja që kur forcat izraelite kanë futur kufizime në hyrjen e adhuruesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë së Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor në Gusht të vitit 2015.

Më shumë se 300 palestinezë kanë humbur jetën nga forcat izraelite në tensionet që nga fillimi i tetorit 2015.

Regjimi i Tel Avivit është përpjekur të ndryshojë përbërjen demografike të Jeruzalem el-Kudsit gjatë dekadave të fundit duke ndërtuar vendbanime të paligjshme, duke shkatërruar vendet historike dhe duke dëbuar popullsinë palestineze lokale. Palestinezët thonë se masat izraelite synojnë të hapin rrugën për judaizimin e qytetit.

Kompleksi i xhamive al-Aksa është një vend i shenjtë islamik, i cili është gjithashtu i shenjtë për hebrenjtë. Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë i Islamit pas Mekës dhe Medines në Arabinë Saudite. / © Gazeta Impakt

57