Francë – Evakuohet ishulli historik Mont-Saint-Michel, dyshohet për sulm terrorist

Ishulli Mont-Saint-Michel, i cili është një prej simboleve të Francës dhe vizitohet nga më shumë se 3 milionë vizitorë në vit, është evakuuar plotësisht për shkak të dyshimit për sulm terrorist.

Xhandërmaria e ishullit turistik në veri të Francës ka realizuar operacionin e evakuimit me mbështetje të helikopterëve.

Jean-Marc Sabathe, guvernatori i rajonit Manche, ku bën pjesë ishulli Mont-Saint-Michel, tha në një deklaratë për gazetarët se në orët e mëngjesit është zbuluar një person i dyshimtë që ka hipur në një anije, e cila transportonte turistë në ishull dhe se më pas kësaj ka filluar operacioni për gjetjen e këtij personi, që ka kërcënuar nëpunësit e sigurisë.

Kryetari i Komunës Mont Saint-Michel, Yves Galton, ka thënë se i dyshuari që ka hipur në anije, ka bërtitur “do t’i vras policët” dhe se pas dyshimit për sulm është marrë vendim për evakuim, me qëllim të realizimit të kërkimeve në gjithë ishullin.

Siç bëjnë të ditur mediat lokale, në ishull janë anuluar udhëtimet me anije, janë evakuuar turistët dhe banorët e ishullit, si dhe janë kontrolluar të gjitha ndërtesat.

Ishulli Mont-Saint-Michel, vend që tërheq më shumë vizitorë pas Kullës “Eiffel”, ka vetëm 50 banorë.

Mont-Saint-Michel është një qendër fetare e rëndësishme, pasi atje gjendet një manastir. Ky ishull është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1979. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne