Francë – Macron: Siguria evropiane nuk duhet të varet më nga SHBA-ja

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të hënën se siguria evropiane nuk duhet të varet më nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Emmanuel Macroni i bëri këto vërejtje gjatë konferencës vjetore të ambasadorëve francezë në Pallatin “Elysee”, në Paris.

Lideri francez theksoi se do të propozojë një shtytje të re për një projekt të mbrojtjes evropiane duke tërhequr vëmendjen se siguria e kontinentit nuk duhet të mbështetet më te SHBA-ja.

“Është në dorën tonë të garantojmë sigurinë e Evropës dhe, rrjedhimisht, sovranitetin e saj. Siguria evropiane nuk duhet të varet më nga SHBA-ja”, u shpreh Macroni.

Ai tha se diskutimet mbi bashkëpunimin e mbrojtjes duhet të përfshijnë të gjitha vendet evropiane dhe Rusinë, me kusht që Moska të shënojë progres në lidhje me Ukrainën.

Macroni bëri thirrje gjithashtu për diskutime tregtare ndërmjet SHBA-së, Evropës, Kinës dhe Japonisë gjatë muajit nëntor, në Paris.

“Rregullat e tregtisë botërore nuk po funksionojnë aktualisht, por unilateralizmi dhe lufta tregtare janë përgjigja më e keqe”, nënvizoi lideri francez.

Ai propozoi organizimin e një takimi mbi çështjen në kuadër të aktiviteteve përkujtimore të Luftës I Botërore më 11 nëntor në Paris, ku të ftuar për të marrë pjesë janë dhjetëra liderë botërorë, përfshi këtu edhe Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të Pallatit “Elysee”.

“Unë mendoj se ne mund të ndërtojmë një sistem më të drejtë dhe më efikas. Mendoj se nuk duhet t’i dorëzohemi hegjemonisë së dikujt dhe ndarjes së gjithkujt”, potencoi Macroni duke iu referuar politikave tregtare të Trumpit për t’u imponuar tarifa doganore shtesë vendeve si Kina./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne