Freedom House: Demokracia në Shqipëri në vend-numëro, Meta shihet si simbol i korrupsionit

Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”.

Raporti i radhës i Freedom House e rendit vendin tonë sërish në kategorinë e shteteve me demokraci në tranzicion apo regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta. Përmbledhja e bërë nga Zëri i Amerikës tregon se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit u zbeh nga dyshimet se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.

E njëjta gjë ndodhi me arritjet në luftën kundër korrupsionit, të cilat, siç thuhet në dokument, u zbehën nga zgjedhja si President i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” , si edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në Parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohshme me 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”.

Zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, për organizatën e njohur ndërkombëtare, shënuan progres duke qenë se ofruan garanci të gjera për opozitën, e pikërisht bëri që indeksi i demokracisë të përmirësohej krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, bllokimi politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 e vuri në rrezik procesin zgjedhor.

Bojkotimi i Parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-s e frenoi reformën e Kodit Zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i e problemet vazhduan me refuzimin e saj për të emëruar përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky bojkotim dëmtoi edhe reformën në drejtësi me vonesat që shkaktoi.

Në raport theksohet se media vazhdon të vuajë nga autocensura dhe lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe medias.

Freedom House bën dhe një prognozë për vitin 2018: ajo paraqet sipas saj një mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe ryshfetet në administratën publike dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Edi Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në Parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjeve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne