Frika e Serbisë dhe shpresa e Kosovës për anëtarësim INTERPOL

Kosova i ka përmbushur kushtet teknike për të qenë pjesë INTERPOL-it. Dhe, derisa Serbia thotë se Kosova do të pësojë debakël më 20 nëntor kur mbahet Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në Kosova ka shpresa të mëdha që kësaj here do të ndodhë anëtarësimi i vendit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Anëtarësimi në INTERPOL do të mundësonte të shkëmbehen informatat për grupe kriminale dhe individ të cilët janë zhytur në krim, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe dukuritë tjera negative, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit dhe në bashkëpunim me gjitha policitë e rajonit dhe botës. Optimist se Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare për siguri, është treguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se pret nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, e cila do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, prej 18 deri më 21 nëntor, që Kosova të fitojë mundësinë për të ndihmuar në luftimin e krimit. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL përjetohet me emocione politike, porse theksoi se pas anëtarësimit nuk do të jetë ashtu.Edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kosova duhet të jetë kontribuese e sigurisë në rajon. Në një prononcim për mediat , ai ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës kontribuon dhe ka rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa ka shtuar se duhet punë dhe përkushtim për të rritur këtë siguri rajonale, e jo të rrezikohet kjo e fundit me mendjelehtësi. Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se ky moment është shumë i rëndësishëm për vendin, pasi sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nënkupton masë shtesë të sigurisë. Ndërsa nuk ka mohuar dëmet që mund të vijnë nga aktiviteti diplomatik i Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Krahas kësaj, ai thotë se edhe institucionet e Kosovës nuk kanë qenë unike për lobimin e Kosovës në INTERPOL. Ibishi shpalos rëndësinë e madhe që ka anëtarësimi i vendit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë. “Anëtarësimi ka një rëndësi shumë të madhe në kuptimin e asaj jo vetëm se këmben informacione, se ne nuk dimë se kush kalon nëpër Kosovë, a janë persona që janë pjesëtarë të organizatave terroriste dhe kalojnë Kosovën anë e kënd dhe ne nuk dimë për ta sepse nuk jemi aktiv në sistem, në kuptim të asaj se ne i marrim vetëm ato fletërreshtimet që ndonjëherë nuk kemi as qasje në to.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne