Fundi i lirisë së mediave apo fundi i shtetit shqiptar?

Nga Isa MYZYRAJ

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e parashikon qartë se “media është e pavarur” dhe “shteti garanton lirinë mediatike”, në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shteti duhet të mobilizohet dhe të garantojë lirinë e medias, lirinë e dhënies së informacionit dhe të mbrojë jetën e qytetarëve (në këtë rast gazetarëve).

Sot Shqipëria gjendet në një udhëkryq madh, sot gazetarët duhet të mendohen shumë herë para se të vendosin të shkruajnë, të investigojnë apo të flasin për një temë a person të caktuar, edhe pse tema mund të jetë në interes të publikut të gjërë apo personi mund të jetë një copë ordineri kriminel i lidhur ngushtësisht me pushtetin vrastar.

Vetëm në vitin e fundit Shqipëria ka parë si po rrënohet liria mediatike, vendi ynë i vogël ka parë si gazetarët flaken rrugëve vetëm pse morën guximin të shkruajnë, kemi parë e dëgjuar si gazetarët pushohen nga puna e lihen në mëshirë të fatit vetëm pse ngrihen kundër padrejtësive.

Alida Tota, drejtoreshë informacioni në “A1 Neës” u largua nga puna urgjentisht, me një vendim të ardhur direkt nga vrasësit e Ardit Gjoklajt, sepse Alida kishte insistuar për të zbardhur vrasjen famëkeqe të adoleshentit që punonte në kushte të mjerueshme pune në ‘kantierin e vdekjes’, në atë kantier që kryetari i Bashkisë së Tiranës e propagandoi si ‘mrekullia e punësimit në Tiranë’ ku sipas Veliajt punëtorët do kishin kushte të mira në punë, punëtorët do ishin të siguruar dhe dhjetra persona do dilnin nga varfëria sepse Landfilli i Sharrës do tu siguronte punë.

Ishte pikërisht Alida Tota dhe gazetarët e patrembur të emisionit “Publikus” që i hoqën maskën e mashtrimit kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj duke zbuluar një kantier vdekjesh mizore si në filmat holliëudian të zhandrrit Horror.

Alita Tota dhe gazetarët e “Publikus” menjëherë pasi filluan punën e tyre për investigimin e vrasjes së Arditit as që e ditën që ai investigim do të ishte i fundit në redaksitë ku ato punonin, sepse njëri pas tjetrit u pushuan nga puna, si për të dëshmuar se në vendin tonë është akoma herët të zbulosh të vërteta mbi qevritarët.

Armand Shkullaku gazetar në “AbcNeës” shkarkohet nga puna për faktin qesharak që “pronari ndërron linjën editoriale të televizionit”.

Po ashtu edhe Alfred Peza gazetar në “Mapo” shkarkohet për arsye banale nga pronari i medias MAPO.

Por nuk janë vetëm shkarkimet pjesë e skenarit të rëndë mediatik në vendin tonë, Elvi Fundo gazetar në “Cityneës.al” rrihet barbarisht në mes të kryeqytetit, nga persona ‘të paidentifikuar’, përse vallë rrihet gazetari? Sigurisht për shkak të detyrës që ai bënte, kushedi për cfarë ka shkruar Elvi që bandave nuk u ka pëlqyer dhe duke qenë se janë të vetëdjshme për një drejtësi të dështuar në Shqipëri nuk nguruan të dilnin në mes kryeqytetit me shufra hekuri për ta rrahur në mënyrë barbare, e për të paralajmëruar gazetarët e tjerë që ‘ky fat ju pret edhe juve’.

E për ta mbyllur këtë panoramë të zezë të gazetarisë Shqiptare, më duhet të kujtoj rastin tim, rastin e një kërcënimi me vrasje, jo më nga persona të paidentifikuar, jo më nga banka që su duhet emri por nga një kryetar Bashkie që është shëmbëlltyra e pushtetit arroganto-kriminal në vendin tone.

Një kryetar Bashkie i zgjedhur me votat e popullit, merr guximin dhe më vjen në tavolinë, jo për t’më përshëndetur për punën që unë bëj, jo për t’më uruar por për t’më thënë që ‘nuk ke parë gjë akoma’.

Nga ana tjetër kemi pseudo-institucione që heshtin, kemi pseudo-pushtetarë që nuk ngurojnë të flasin 24 orë në ditë për ‘Reformën në Drejtësi’ kinse seriozisht këtyre u interesoka reforma në drejtësi.

U bëra lera të gjithëve duke filluar nga Parlamenti, Komisioni i Medias, institucioneve të drejtësisë, qeverisë, e përfundova tek Ambasada Amerikane, por asnjëra nuk reagoj, por reaguan vetëm mediat në vend jo për të dënuar aktin por për të mbushur portalet dhe faqet e gazetave me një lajm më shume, reaguan edhe mediat e huaja për të shfaqur gjendjen alarmante të medieve në Shqipëri.

Pra, si mund të jetë fundi i medieve ndryshe!? Si mund të jetë fundi i demokracisë ndryshe?! Si mund të jetë dështimi i një sistemi që shfaqet si demokratik ndryshe!?

Ky pra është fundi, jo i Edi Ramës, jo i Opozitës, jo  i kuvendit, jo i institucioneve por është fundi i demokracisë dhe fundi i shtetit Shqiptar.

Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne