Furtunë në burgje, ministri i PD shkarkon 5 drejtorë.

Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, edhe ai pjesë e paketës së teknikëve të PD, kanë shkarkuar nga detyra 5 drejtorë të burgjeve, pa urdhër me shkrim, por thjesht me një njoftim për mediat.

Të shtunën, drejtorët e shkarkuar kanë qenë në mbledhje rreth orës 13 me drejtorin Arjan Hoxha dhe ai nuk u ka komunikuar ndonjë masë apo vendim për t’i larguar nga detyra, shkruan “Lapsi.al” duke iu referuar burimeve të veta konfidenciale.

Por sapo kanë dalë nga mbledhja ata kanë marrë vesh nëpërmjet medias se ishin shkarkuar.

Ditën e hënë (sot), duke qenë se nuk kishin asnjë vendim zyrtar me shkrim për shkarkimin nga detyra, drejtorët janë paraqitur në punë, qoftë edhe për t’u njohur me situatën e re me të cilën ishin njoftuar nga mediat, por nuk janë lejuar nga oficeri i rojës.

Oficeri i rojës u ka komunikuar një urdhër verbal për të mos i lënë të hyjnë brenda, raporton “Lapsi.al”.

Në këtë mënyrë, drejtorët nuk kanë pasur mundësi as të bëjnë dorëzimet apo të marrin sendet personale që kanë në zyrë.

“Nuk na lanë të marrim as fotot e fëmijëve që mbajmë në tavolinë”, është shprehur njëri prej tyre pasi është ndaluar nga oficeri i rojës.

Sot në vendet e 5 drejtorëve të shkarkuar janë komanduar disa shefa të policisë së burgjeve, pasi Ministri teknik dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve (edhe ai teknik) nuk kanë atribute për të bërë emërime.

Deri tani janë 5 burgje pa drejtorë, ç’ka rrezikon mbarëvajtjen e tyre, për më tepër në fushatë elektorale.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne