Fushata, KQZ ndryshon rregullat e financimit, kërkon hetues për partitë

Ndryshimet e mbrëmjes së të hënës në ligjin për financimin e partive politike në Kuvend, ka krijuar një mekanizëm të ri kontrollues dhe hetues të financimeve të partive për fushatë, duke detyruar KQZ-në të nisë një proces të menjëhershëm përgatitor. “Ligji “Për partitë politike” i ndryshuar së fundmi edhe me ligjin nr. 90/2017, e përcakton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, si dhe monitorimin e mbikëqyrjen e financimit dhe shpenzimeve të partive politike, gjatë fushatës zgjedhore.

Ligji nr.90/2017, i miratuar 48 orë më parë, ka përcaktuar se, KQZ jo më vonë se dita e fillimit të fushatës zgjedhore, që është data 26 Maj, emëron me short një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiar për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, duke përfshirë aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet e përdorura prej tyre gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 25 qershor 2017”,-tha dje zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Ajo shtoi se, bazuar në rëndësinë e veçantë të financimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, dhe kohën e kufizuar që KQZ ka në dispozion për emërimin e ekspertëve kontabël, “i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licensuar, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, brenda dy ditëve. Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimin e KQZ-së”.

Monitorimi
“1. Jo më vonë se dita e fillimit të fushatës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëron me short një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiarë, për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, duke përfshirë aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet e përdorura prej tyre gjatë fushatës zgjedhore.
2. Raporti i monitorimit i paraqitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit, por në çdo rast jo më vonë se 4 muaj nga data e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Raporti detajon në mënyrë të plotë të gjitha aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet që ka përdorur partia politike gjatë fushatës zgjedhore.
3. Ekspertët financiarë kanë të drejtë që të kërkojnë dhe verifikojnë edhe transaksionet financiare të kryera për periudhën 3 muaj përpara dhe pas ditës së zgjedhjeve, nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, me qëllim evidentimin e transaksioneve të pajustifikuara dhe që mund të jenë përdorur për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore të një ose disa partive politike.
4. Me kërkesë të ekspertit financiar, të përcjellë nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera që ushtrojnë aktivitete bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruara të japin informacion mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera gjatë periudhës së monitorimit. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të dhënave, sipas këtij neni, u nënshtrohet rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale. Ato bëhen publike vetëm nëse vërtetohet se janë përdorur për financim të paligjshëm të një partie politike dhe në këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë.
5. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të ekspertëve financiarë, si dhe mënyra e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e tyre, përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,-thuhet në nenin 24 të Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Kufizimi
1. Çdo parti politike, që merr pjesë në zgjedhje, nuk mund të tejkalojë si shpenzim për fushatën fondin financiar që përcaktohet në pikën 3, të nenit 90, të Kodit Zgjedhor.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me fondin maksimal të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përcakton maksimumin e shpenzimeve për çdo fushatë zgjedhore, nisur nga gjendja e përgjithshme ekonomike në vend, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën e zgjedhësve, aktivitetet, shërbimet dhe materialet e nevojshme për realizimin e një fushate zgjedhore.
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me udhëzim mënyrën e përllogaritjes së kostos financiare të çdo aktiviteti, shërbimi apo materiali që do të përdoret për qëllime zgjedhore ose politike, nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
4. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton me udhëzim llojet dhe numrin e aktiviteteve, veprimtarive, shërbimeve dhe materialeve të lejuara për t’u përdorur nga një parti politike gjatë fushës zgjedhore.
5. Në çdo rast, është e ndaluar përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera të çdo lloji apo madhësie, në një distancë më të madhe se 5 m larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit.
6. Ndalohet transmetimi i reklamave të prodhuara, financuara apo paguara nga institucionet shtetërore apo çdo ent tjetër shtetëror apo publik, për periudhën tre muaj përpara datës së zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që shërbejnë për informimin e zgjedhësve, sipas përcaktimeve ligjore.
7. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në këtë nen, përveç parashikimeve në Kodin Penal, përbën kundërvajtje administrative dhe passjell dënimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të personit përgjegjës për financat, përkatësisht me gjobë nga 1 000 000 deri në 3 000 000 lekë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne