Bota

Fyhet dhe sulmohet verbalisht nga “jelekët e verdhë”, filozofi franko-hebre, Finkielkraut

Protestat e jelekëve të verdhë në Francë kanë provokuar edhe incidente me sfond racist. Pjesë e tyre është bërë edhe filozofi i njohur franko-hebre, Alain Finkielkraut, i cili është sulmuar verbalisht nga disa të rinj në Paris. Pamjet video tregojnë filozofin në një situatë shumë të sikletshme dhe të pashpjegueshme në sytë e tij, teksa policia e shoqëron deri sa largohet.

“Kthehu në Tel Aviv”, “Do digjesh në ferr”, apo edhe “Çifuti i mutit”, kanë qenë disa nga fyerjet që kanë lënë pa gojë Finkielkraut i cili madje ka shkruar me simpati për lëvizjen e Jelekëve të Verdhë, por që i ka kritikuar në një intervistë të fundit për Le Figaro.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i autoriteteve politike në vend, duke nisur që nga Presidenti Emmanuel Macron e deri te ministri I Brendshëm, Christophe Castaner.

Vetë filozofi deklaroi për “Le Journal du Dimanche” se: Ndjeva urrejtje absolute

Rreth 15 persona janë marrë në pyetje për incidentin që i jep një imazh shumë të keq Francës, vend që bashkë me Gjermaninë kanë shënuar së fundmi shtim të incidenteve me sfond antisemitik.

Finkielkraut është i njohur për punimet e tij mbi dhunën me bazë identitetin përfshirë atë ndaj hebrejve që duket se ciklikisht bëhen shënjestër në Europë. Në shqip është përkthyer prej Bashkim Shehut, libri i tij, “Disfata e mendimit”.

OPINIONE